Analiza e BIRN: Dosja 'Metamorfoza' tregoi se policia nuk ekziston dhe se vendin e sundojnë krimi dhe bandat

E mërkurë, 22 May 2024 20:38
Dosja hetimore Metamorfoza, dhe ajo e shtatë grupeve kriminale në luftë me njëra-tjetrën paraqesin një Shqipëri nën kontrollin e drejtpërdrejtë të bandave, forca policore inekzistente dhe, shpesh, bashkëpunuese apo organizatore të akteve kriminale dhe policë që janë bërë milionerë duke trafikuar autoritetin publik. Kjo e gjitha nuk mund të kalohet pa një analizë dhe hetim të thellë të të gjithë strukturës policore dhe një pastrim të thellë të saj nga personat e inkriminuar.
 

Nga Gjergj Erebara, BIRN 

 

Më 20 maj 2024, Policia e Shtetit njoftoi se ka marrë vendim për përjashtimin e dy oficerëve të lartë të policisë, Henerigert Mitri dhe Klodian Shahini, pasi këta të fundit u shpallën në kërkim me urdhër të Gjykatës së Posaçme, të dyshuar për pjesëmarrje në strukturat e krimit të organizuar, ofrimin e ndihmës për vrasje apo organizimin e kultivimit të kanabisit.

“Në radhët e Policisë së Shtetit nuk do të ketë vend për askënd që shkel ligjin dhe, më keq akoma, bashkëpunon me grupet kriminale,” deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, sipas një njoftimi për shtyp të policisë të publikuar në Facebook.

Përjashtimi i këtyre dy zyrtarëve është në fakt një veprim simbolik, nëse merret parasysh se që të dy janë shpallur në kërkim. Por dosja e SPAK për hetimin e shtatë grupeve të ndryshme kriminale, aktivitetet e së cilave u arritën të zbardhen falë të dhënave të siguruara nga partnerët perëndimorë të vendit, tregon se në fakt, Mitri dhe Shahini nuk ishin të vetmit policë të përfshirë në aktivitete kriminale ndërsa shumë të tjerë, disa të identifikuar dhe të marrë të pandehur dhe të tjerë, për të cilët duket se hetimet vijojnë, janë bashkëpunëtorë të ngushtë të krimit dhe gjithashtu të përfshirë drejtpërsëdrejti në ngjarje kriminale. Ndërsa kultivimi masiv i drogës në zonën e Fushë-Krujës, Laçit, Krujës, Mirditës, Lezhës apo Shkodrës duket se sugjeron se e gjithë forca policore që ka shërbyer, së paku gjatë vitit 2020, ose ka mbyllur sytë, ose ka qenë drejtpërsëdrejti e përfshirë.

Dosja flet mes të tjerash për policin Altin Morina, i cili u mor i pandehur, por që, sipas të dhënave të kapura, ishte një agjent i Durim Bamit brenda Policisë së Shtetit. Komunikimet e tij me Bamin tregojnë se ai nuk është se thjeshtë qarkullonte informacione nga policia te krimi, por shërbente si sekser, ku në shumë raste, përkundrejt pagesave, blinte bashkëpunimin e kolegëve të tij sa herë që grupit kriminal i shfaqej një telash, fjala vjen, i kapej një eksponent me armë pa leje. Morina shfaqet gjithashtu si investitor në aktivitete të paligjshme, i aftë të alokojë qindramijëra euro, përkundrejt pjesëve nga fitimet e aktiviteteve të paligjshme, me kultivues kanabisi në zonën e Fushë-Krujës dhe Krujës.

Aktiviteti i kultivimit të kanabisit, për aq sa kapet nga komunikimet e Durim Bamit, ishte i gjithëpërhapur. Ai shtrihej nga fshatrat pranë bregdetit të Adriatikut deri në malësinë e Krujës. Ishin mijëra dhe mijëra rrënjë, ndërsa komunikimet zbulojnë një treg prej miliona eurosh dhe mundësi për investime pa kurrfarë kontrolli. Kultivimi i drogës në një territor kaq të gjerë duket se vështirë se ka ndodhur pa heshtjen aktive, nga frika apo përkundrejt pagesës, të të gjithë trupës policore të zonës ku ky aktivitet është kryer, nga Kamza e Fushë-Kruja, në Laç, Lezhë, Mirditë, Mat etj.

Në këtë kontekst, çdo oficer policie apo edhe çdo polic i thjeshtë që ka punuar në këto zona përgjatë kohës që janë kryer këto hetime, pra vitit 2020 dhe 2021, logjikisht që duhet të shikohet si një bashkëpunëtor i mundshëm i krimit. Dhe në këtë kontekst, përjashtimi nga policia i dy oficerëve, bën praktikisht asgjë për të luftuar kriminalizimin e radhëve të policisë, një kriminalizim që, për aq sa lexohet në dosje, ka përmasa masive.

Dosja e SPAK mbi të shtatë grupet kriminale u ndërtua si rrjedhojë e përdorimit nga dhjetëra eksponentë të krimit dhe të politikës të celularëve të posaçëm që ofronin komunikim të koduar përmes një aplikacioni të njohur si SKY ECC. Aplikacioni supozohet se merr një informacion nga një celular, e bën të palexueshëm para se ta transferojë te celulari marrës për ta bërë të lexueshëm, pa e ruajtur asgjëkundi dhe duke siguruar në këtë mënyrë që bisedat në distancë të ruheshin nga përgjimi. Në realitet, komunikimet u ruajtën në një server, të cilin Policia e Francës e konfiskoi, duke siguruar në këtë mënyrë miliona të dhëna të krimit të organizuar.

Komunikimet mes këtyre grupeve kriminale, të cilat iu dhanë Prokurorisë së Posaçme nga partnerët perëndimorë, paraqesin një Shqipëri që është në mënyrë tërësore nën kontrollin e krimit. Krimi është në gjendje të kontrollojë territorin, ata mbjellin kanabis kudo që munden, nga zonat më të thella malore deri në zonat pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës apo në bregdet. Policia, e cila duhet të kontrollojë territorin, ofron bashkëpunim, duke u koordinuar me krimin në ditët dhe orët kur duhet të bëhen kontrollet apo, me raste, duke kryer operacione për kapjen e vërtetë të drogës kur një grup kriminal përdor policinë për të sulmuar një grup tjetër kriminal. Oficerët e policisë përdorin asetet e policisë, jo për të luftuar krimin, por për t'i shërbyer krimit. Dhe mungesa e kontrollit të territorit vërehet në disa detaje drithëruese. Për shembull, në një rast, një i dyshuar nga burgu komunikon me një tjetër jashtë dhe i thotë se një grup kriminal ka në shënjestër për të vrarë dikë që banon në zonën e tij në Tiranë, por që nuk i afrohet dot për shkak se territori në fjalë, është nën kontrollin e këtij grupi. Ndërsa një i dyshuar tjetër i komunikon një vrasësi me pagesë duke i thënë se policia është relativisht problem në Tiranë ndërsa, “sapo kalon Kaza Italia nuk e rruan kush.”

Kontrolli i territorit nga krimi duket se është aq i fuqishëm, sa kriminelët i kërkojnë leje për të vepruar në një territor të caktuar, jo shefave të policisë,  por njëri-tjetrit.

Edhe puna e zakonshme parandaluese që një forcë policore bën mbi subjekte që njihen, jo vetëm nga të dhënat policore, por edhe publikisht, se përbëjnë një rrezik të fortë publik, nuk duket gjëkundi. Dosja tregon se përgjatë më shumë se një viti, duke filluar nga janari i vitit 2020 dhe duke mbaruar diku nga fillimi i vitit 2021, shtatë grupe kriminale punonin pothuajse çdo ditë, duke porositur vrasje, duke vrojtuar shënjestrat, duke dështuar në atentate, duke vënë bomba që shpërthejnë në mes të qytetit dhe plagosin kalimtarë të rastësishëm apo duke u marrë me punët e zakonshme  të trafikut të drogës, pastrimit të parave, investimit në ndërtim, blerjes së dyqaneve. E megjithatë, grupet kriminale duket se kanë nën përgjim policinë më shumë se sa policia ka nën përgjim grupet kriminale. Kjo e bën veprimin e përjashtimit të dy oficerëve të shpallur sakaq në kërkim, një barsoletë me polic.

Login to post comments