Konfirmimi i Prokurorisë/ Kërkohen në Greqi dokumentet e dëbimit të gjyqtares me tre mbiemra

E mërkurë, 22 May 2024 20:35
 
 

E vërteta për të shkuarën e gjyqtares 54-vjeçare Irena Gjoka, që dikur mbante mbiemrin Shpata (Irena Shpata) dhe që nga viti 2011 përdor mbiemrin e bashkëshortit të saj aktual (të dytë) Gjoka është shndërruar në një mollë sherri mes opozitës dhe gjyqësorit. 

 

Sipas dokumenteve të publikuara në mediat greke, Irena Gjoka është arrestuar në Greqi për përdorimin e dokumenteve false me të cilat tentonte të tregonte se ishte me origjinë greke. Në fillim këtë e raportoi gazeta ‘Ta nea’, pastaj dokumentet i publikoi gazeta ‘Prothotema’.

Grekët u motivuan nga vendimet që lanë në burg Fredi Belerin, por opozita e shtoi presionin kur e njëjta gjyqtare la në arrest shtëpie Sali Berishën, në lidhje me hetimet për privatizimin e kompleksit Partizani.

Lapsi.al u interesua pranë Prokurorisë së Përgjithshme dhe në përgjigjen që dha Drejtori i Koordinimit Institucional, Kostaq Beluri pranohet se për gjykatësen Irena Gjoka ‘ka nisur një hetim i thelluar’ në datën 8 Maj, që përfshin edhe dërgimin e kërkesës së dokumenteve përkatëse në vendet e BE, në SHBA, Kanada dhe Australi.

Pyetjes se: ‘A janë dërguar letër-porosi në lidhje me një dënim për dëbimin e Irena Gjokës nga vendet e zonës Shengen?’, prokuroria iu përgjigj: ‘Për interesa të verifikimit të thelluar, Prokuroria e Përgjithshme i është drejtuar me kërkesë për informacion dhe dokumente gjithë institucioneve që përcakton ligji’.

Ligji 138/2015 përcakton se kërkesat nisen drejt vendeve të Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe Australisë. Prokuroria e Përgjithshme pranon se kërkesa i është drejtuar autoriteteve gjyqësore përkatëse, por se ‘ende nuk është marrë përgjigje për kërkesën’.

Sipas mediave greke, Irena Gjoka me bashkëshortin e saj të parë kishte tentuar të futej në Greqi me datë 24 dhjetor 2002, nëpërmjet pikës kufitare të Kakavijës, duke përdorur një vizë të falsifikuar konsullore, përsa i përket afatit dhe duke u përpjekur të paraqitej si vorio-epirote.

Pas zbulimit të këtij falsifikimi emri i saj u fut në listën e personave ‘non grata’ të sistemit Shengen. Asaj iu ndalua hyrja për 10 vite për arsye sigurie publike dhe të dhënat e saj dhe shenjat e gishtave u depozituan në bazën përkatëse të të dhënave.

Pak muaj më vonë me 13 shkurt 2003, Irena Maneku u përpoq të futej sërish në Greqi nëpërmjet Kakavijës dhe iu ndalua hyrja pasi figuronte në listën e ‘të padëshiruarve’ të zonës Shengen dhe iu dha një shkresë përkatëse.

Menjëherë pas kësaj ajo iu drejtua Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Athinë, kundër vendimit të dëbimit. Kërkesa e saj iu dërgua, Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Janinë, e cila rrëzoi kërkesën e Manekut.

Në vitin 2019 Irena Maneku duke përdorur mbiemrin e bashkëshortit të saj të dytë, bëri kërkesë me emrin Irena Gjoka, për t’u bërë anëtare e Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Për t’u bërë pjesë e kësaj gjykate duhet të plotësohet një formular vetëdeklarimi ku ndër të tjera duhet të rrëfesh nëse ka pasur dëbime, ka pezull ndonjë proces gjyqësor, ka ndalim hyrjeje në një vend të tretë, etj.

Në formularin e saj të vetëdeklarimit, gjyqtarja Irena Gjoka e ka mohuar që ndaj saj të kishte pasur ndonjë dëbim. Për shkak të një fshehjeje të tillë, zyrtarë të tjerë janë shkarkuar dhe disa janë dënuar për akuzën e falsifikimit në të kaluarën. Megjithatë Irena Gjoka ia doli të bëhet gjyqtare e GjKKO, të zgjidhej nënkryetare, por me funksionet e kryetares për shkak të vakancës.

Avokatët e Sali Berishës kërkuan përjashtimin e gjyqtares nga procesi, që ka lënë në arrest shtëpie Sali Berishën. Gjatë seancës, tha avokati Genc Gjokutaj, Irena Gjoka e pranoi dënimin që kishte për të në Greqi, por ajo tha se ky nuk përbënte shkak për ta përjashtuar nga çështja.

Në mars të këtij viti, Këshilli i Lartë Gjyqësor i doli në mbrojtje Irena Gjokës për akuzat e opozitës, që pretendonin se gjykatësja ishte e dëbuar nga zona Shengen. Megjithatë, pas daljes së dokumentave në media, KLGJ u detyrua të vihet në lëvizje duke kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme verifikimin e akuzave.

Login to post comments