'Shqipëritë' tona kalben nga brenda!

Premte, 24 May 2024 16:32
 
Nga Kim Mehmeti 
 

Nëpër “Shqipëritë” tona çdonjëri flet me të ngjashmit me vetveten. Kështu opinionistët tanë i vlerësojnë të gjithë të tjerët, përpos vetveten, filozofët debatojnë me njëri tjetrin për fe e xhami, por jo për urtësi, klerikët flasin mes veti për moral e familje, por duke mos u penguar kur feja bëhet ‘shërbëtore’ e politikës...

Pra ne jemi mbyllur çdonjëri në rrethin e vet, ku debatojmë dhe flasim për tjetrin, por jo edhe me të tjerët.  Me çka “Shqipëritë” tona u bënë shoqëri të “hapura” të përbëra nga rrethe të mbyllur.

Shkurt e shqip: nëpër “Shqipëritë” tona mungon komunikimi ndërqytetarë andaj ka protesta partiake, protesta të mjekëve, të studentëve, të bujqve..., por jo edhe protesta ku të gjithë së bashku do e luftonin hajdutërinë dhe krimin që i ka mbuluar shoqëritë tona.

Po pra, nëpër “Shqipëritë” tona të gjithë janë mbyllur brenda llojit të vet dhe nuk bashkëbisedojnë me të tjerët, por e vlerësojnë tjetrin. Duke harruar kështu se çdo gjë e mbyllur, që nuk ajroset nga jashtë, fillon të myket dhe të kalbet.

Dhe duke mos vërejtur se edhe “Shqipëritë” tona thuajse kanë nisur të “kalben” nga brenda, të bëhen vende ku një budalla përfaqëson mijëra të mençur, ku një hajdutë vendosë për fatin e qindra të ndershmëve dhe ku vriten më të vlefshmet që kemi – ëndrrat dhe shpresat rinore. KM

Login to post comments