Skandali i mikrokredive/ Prokuroria e Tiranës sekuestron llogari bankare me vlerë 10 mln euro

E Enjte, 30 May 2024 17:39
 
 

Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar llogari bankare në vlerë 10 mln euro të administratorëve të subjekteve financiare që u përfshinë në skemën e mashtrimit me kredi dhënien.

Llogaritë bankare të sekuestruara janë të dhjetë personave dhe 3 subjekteve financiare mikrokredi që janë nën akuzë për veprën penale ‘Pastrim i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale’. Paratë e sekuestruara i përkasin subjekteve ‘Microcredit Albania’ shpk, ADCA shpk dhe ‘Final’ shpk. 

Nga aktet e administruara, rezultoi se Arben Meskuti, Kejda Seferi, Elda Ibro dhe persona të lidhur me ta, si dhe subjektet ‘Microcredit Albania’ shpk dhe ‘Final’ shpk, kanë vlera të konsiderueshme parash në lekë dhe valutë të huaj të depozituara në banka të nivelit të dytë si dhe obligacione të ndryshme.

  • Njoftimi i Prokurorisë:

“Skema mashtrimi të kredidhënies, Prokuroria e Tiranës sekuestron llogari bankare në vlerë 10 mln euro të administratorëve të subjekteve financiare.

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, sekuestroi llogaritë bankare në një vlerë totale 10 milionë euro të dhjetë shtetasve dhe 3 subjekteve financiare mikrokredi nën akuzë për veprën penale ‘Pastrim i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale’ parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal. 

Nga aktet e administruara, rezultoi se shtetasit A.M., K. S., E.I. dhe persona të lidhur me ta, si dhe subjektet ‘Microcredit Albania’ shpk dhe ‘Final’ shpk, kanë vlera të konsiderueshme parash në lekë dhe valutë të huaj të depozituara në banka të nivelit të dytë si dhe obligacione të ndryshme.

Për to, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka dyshime se lidhen me vepra penale të kryera nga këta shtetas dhe këto shoqwri gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre financiar në lidhje me blerjen e portofoleve të kredive të këqija nga banka të nivelit të dytë dhe dhënien e kredive të tjera shtetasve të ndryshëm duke sekuestruar pasuritë e këtyre qytetarwve në raport të zhdrejtë me vlerën e kredive të akorduara.

Ndodhur përpara rastit të ngutshëm, pasi ekziston rreziku që këto shuma monetare, të cilat dyshohen si produkt i veprimtarisë kriminale, të transferohen apo të fshihen, është e nevojshme kryerja e sekuestrimit të llogarive bankare për shtetasit: A.M., E.C., O.I., E.I., A.G., A.Gj., V.B., A.G., J.M., E.M., dhe subjekteve financiare ADCA shpk., Final shpk dhe “Micro Credit Albania” sha.

Shtetasit në fjalë, kanë investuar në letra me vlerë me interes vjetor maturimi nga 4% deri në 10.5%“, thuhet në njoftim.

  • Skema që zhyti financiarisht mijëra shqiptarë

Në mesin e tetorit të vitit 2019, mbi 100 thasë të zinj u lanë të braktisur në hollin e Ministrisë së Drejtësisë, në Tiranë. Personi që i kishte lënë aty, i identifikuar si Gentian Kamberi, nuk dinte të thoshte se çfarë kishte brenda atyre thasëve, por vetëm se ai ishte pajtuar që të dorëzonte ngarkesën.

Një grup pune i Ministrisë së Drejtësisë hapi thasët dhe brenda tyre gjendeshin mijëra faqe dokumenta, llogari bankare, kontrata kredie, vendime gjyqësore e përmbarimi.

Praktikisht, brenda atyre thasëve ishin fatet e mijëra familjeve, të cilat, siç tregoi një hetim i përfunduar së fundmi nga Prokuroria e Tiranës, kishin rënë pre e asaj që dyshohet si një nga skemat më të rënda mashtruese në dy dekadat e fundit.

Në këtë histori janë përfshirë institucione financiare jo-bankare e përmbarues, ndërkohë që shigjetat janë drejtuar edhe në majën e piramidës financiare, në Bankën e Shqipërisë.

Prokuroria e Tiranës ka zhvilluar dy hetime paralele për skemën e mikro-kredive. Në njërin prej tyre, prokurori Leonard Filopati ka ngritur dyshime për rolin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në këtë skemë dhe ia përcolli për kompetencës Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion.

Ndërkohë, prokurorët Ndini Tavani dhe Arben Agovi kanë shqyrtuar rolin e atyre që konsiderohen si ekzekutorë të skemës mashtruese.

Në kuadër të këtyre hetimeve, me kërkesë të dy prokurorëve, gjykata e Tiranës caktoi masat e arrestit në burg për për shtetasit Aldo DakaAlbert GegaEdmond Mato, dhe Arben Meskuti.

Ndërkohë, u caktua masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetaset Kejda Seferi, Elda IbroAlketa Tanushi, Alban Kote dhe Jorsida Dervishi.

  • Zbulimi i skemës

Boldnews.al” ka konsultuar vendimin e gjykatës së Tiranës, në të cilën prokurorët kanë zbërthyer skemën e mashtrimit, me një dëm, i cili llogaritet në mbi 7 milionë euro.

Në Shtator të vitit 2019, Ministria e Drejtësisë dhe Dhoma Kombëtare e Përmbarimit ngritën një grup pune për të administruar dosjet e përmbaruesve privatë, të cilët u ishte hequr licensa për shkelje të ndryshme.

Ky proces administrativ zbuloi fakte dhe te dhëna për cënimin e interesave financiare të mijëra personave nga veprimtaria e paligjshme e 3 shoqërive përmbarimore, një institucioni financiar jo-bankar, një zyrë avokatore, një noteri dhe disa persona të tjerë.

Pas këtyre gjetjeve, Ministria e Drejtësisë dorëzoi kallëzim penal ndaj subjekteve “Micro Credit Albania”, “ADCA”, “SHP Zig”, “FS”, FLASH”, si edhe administratorëve të tyre.

Një hetim i thelluar, i cili kërkoi kohë për shkak të veprimet tejet specifike, krijoi bindjen se gjithçka është ndërtuar mbi një skemë mashtruese.

Login to post comments