Betonizimi i Tiranës/ Veliaj nuk e ndal ‘dorën’, rriten lejet e ndërtimeve në 3-mujorin e parë

Premte, 31 May 2024 16:15
 

Pas një ngadalësimi në vitin 2023, ndërtimet në kryeqytet duket se do të marrin vrull sërish.

Të dhënat e INSTAT bëjnë të ditur se sipërfaqja e lejeve të ndërtimit ka shënuar rritje në tre muajt e parë të vitit. 

Sipas shifrave të raportuara nga INSTAT, për periudhën janar- mars 2024 janë dhënë gjithsej leje ndërtimi me një sipërfaqe prej 232 mijë metra katror, me një rritje prej 16% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur sipërfaqja e lejeve zbriti poshtë 200 mijëmetra katror për herë të parë që nga viti 2018.

Gjithsesi, sipërfaqja e lejeve mbetet shumë më e ulët se në tremujorin e parë 2022, kur u shënua një rekord lejësh prej një sipërfaqeje prej 800 mijë metra katror.

Po sipas INSTAT, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike në tremujorin e parë në kryeqytet ishte 9.1 miliardë lekë, ose rreth 90 milionë euro, me rritje prej 39% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. 

Zgjerimi më i shpejtë i vlerës në raport me sipërfaqen e lejeve të dhëna tregon për një shtrenjtim të çmimeve.

Ndryshe nga Tirana, në rang kombëtar u dhanë më pak leje

Sipas INSTAT, në tremujorin e parë 2024 janë miratuar gjithsej 311 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 429 leje të miratuara në tremujorin e parë 2023, duke shënuar një ulje prej 27,5 %.

Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e parë 2024 është 357.585 m2, nga 415.842 m2 miratuar në tremujorin e parë 2023, duke shënuar një ulje prej 14,0 %.

Në tremujorin e parë 2024, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 13,6 miliardë lekë, nga 21 miliardë lekë miratuar në tremujorin e parë 2023, duke shënuar një ulje prej 35,0 %.

Login to post comments