Lideri i opozitës Sali Berisha u shpreh se është i pari që ka denoncuar me fakte krijimin e narkoshtetit të Edi Ramës.
Në fjalën e tij gjatë protestës maratonë në ‘Rrugën e Shpresës’, Berisha akuzoi ‘Ramën se bashkë me mentorin e tij Xhorxh Soros krijuan në Shqipëri, Kolumbinë e Europës’.
Berisha: Kurse krimin e dytë më të madh në histori, ndërtimin e narkoshtetit të vetëm dhe të parë në Europë, rikujtoj këtu çdo shqiptar që do të dijë të vërtetën se këtë kob të vërtetë e kanë denoncuar 6 vitet e fundit mediat më të mëdha të botës në SHBA, në Kanada, Gjermani, Britaninë e Madhe, Francë, Holandë, Suedi, Zvicër, Danimarkë, Austri, Greqi, Itali etj.
Dhe së fundmi e denoncoi në mënyrën më të faktuar, më të fuqishme emisioni Raport i RAI3 duke i bërë një shërbim të jashtëzakonshëm kombit shqiptar, zgjimit të ndërgjegjes së tyre.
Edi Rama, të them këtu para shqiptarëve se unë nuk e mohoj, por e kam për përgjegjësi që jam ndër të parët në Shqipëri dhe në botë që kam dënuar narkoshtetin në këtë vend.
Edi Rama, e kam bërë këtë kur e gjithë bota e drogës do të mprihte thikat kundër meje. Por për mua interesi kombëtar, interesi i shqiptarëve është interesi i parë dhe gjithçka tjetër bëhet e parëndësishme.
Edi Rama, e kam denoncuar atë sepse kam mësuar se me mentorin tënd, armikun e egër të demokracisë shqiptare, Xhorxh Soros, ishe lidhur me Bogotën dhe me zyrtarët e atij vendi dhe do importoje këtu modelin kolumbian, do krijoje me doktrinën e Sorosit të rrënimit të kombit shqiptar, në Shqipëri, Kolumbinë e Europës.