'Washington Examiner': Olsi Rama po hetohet në Gjermani për trafik kokaine

E Enjte, 06 June 2024 09:50
 
 

Nga John R. Schindler, WASHINGTON EXAMINER

Që Shqipëria, gjatë dekadës së fundit, është bërë epiqendra e Evropës për kontrabandën e drogave të paligjshme në shkallë masive, ky është një sekret i hapur – të cilin e kam diskutuar shumë herë. Fatkeqësisht, shumica e mediave perëndimore nuk pranojnë ta thonë qartë të vërtetën e hidhur se një aleat i SHBA-së dhe anëtar i NATO-s është një narko-shtet i plotë. 

 

Vitin e kaluar, zbulova se BILD, tabloidi gjerman që është gazeta me tirazhin më të madh në Evropë, ‘vrau’ një shkrim që ekspozonte lidhjet midis kryeministrit socialist të Shqipërisë Edi Rama dhe sindikatave transnacionale të krimit të organizuar. Ky dështim për të raportuar erdhi në kundërshtim me reputacionin e fituar me vështirësi të BILD për raportimin agresiv investigativ. Dhe erdhi mes aludimeve se elitat politike gjermane dhe amerikane kishin frikë nga ekspozimi i sekreteve të dhimbshme.

Tani, BILD ka rizbuluar guximin e saj.

Gazeta publikoi një raport ekskluziv të titulluar “Kokaina - Si arrin helmi i bardhë në Gjermani”. Shkrimi dokumenton se si bandat mafioze shqiptare luajnë një rol të jashtëzakonshëm në kontrabandën e kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë, kryesisht përmes Antverpës, Roterdamit dhe Hamburgut, shpesh përmes rrugëve qarkore duke përfshirë Afrikën Perëndimore, Spanjën, Greqinë dhe, natyrisht, Shqipërinë. Droga zakonisht fshihet në ngarkesa me fruta, veçanërisht banane dhe peshk të ngrirë. Anijet e shpejta të mafiozëve, me ekuipazh më shpesh se jo nga shqiptarët, shpërndajnë “helmin e bardhë” në të gjithë Evropën me ndihmën e kamionistëve dhe kontrabandistëve të tjerë të nivelit të ulët. BILD citon Nancy Faeser, Ministre e Brendshme e Gjermanisë: “Krimi i organizuar shqiptar, me lidhjet e tij deri në Amerikën e Jugut, është një fokus i veçantë për hetuesit tanë”.

Raporti shton se hetuesit gjermanë e dinë se 32 grupe shqiptare të krimit të organizuar kontrollojnë tregtinë e kokainës në Evropë në çdo nivel, nga prodhimi te dërgesa e paligjshme, te kontrabanda ndërkombëtare, deri te tregtia në rrugë. Ky sistem efikas i shpërndarjes, i cili prek pothuajse çdo cep të kontinentit, ka përmbytur Evropën me kokainë. Gjërat janë tani në pikën që një dozë drogë kushton pak më pak se një filxhan birrë në një bar gjerman. Pavarësisht çmimit të ulët të rrugës, fitimet e mafies janë befasuese. Kriminelët blejnë një kilogram kokainë në Amerikën e Jugut për 2,500 dollarë dhe e shesin në të gjithë Evropën deri në 80,000 dollarë, një raport fitimi që kalon 3,000%.

BILD më pas shkoi më tej me një segment të titulluar “Shqipëria, narkoshteti në pragun tonë”, i cili, bazuar në informacionet e zyrtarëve perëndimorë, e përshkruan Shqipërinë si “sistemi nervor i mafies së kokainës në Evropë”.

Shkrimi thekson: “Vrasjet mafioze kanë qenë prej kohësh një dukuri e përditshme në Shqipëri, me më shumë se njëqind të tilla vetëm në vitin 2021”. Duke vënë në dukje se mafiozët shqiptarë lulëzojnë në Gjermani për shkak të lidhjeve politike, raporti shton se policia federale gjermane, ekuivalenti i FBI-së i vendit, e ka konsideruar problemin aq serioz sa ka krijuar një grup të posaçëm vetëm për të luftuar krimin e organizuar shqiptar etnik – disa mafiozë shqiptarë janë nga Kosova, jo nga Shqipëria. Deri më tani, më shumë se 320 persona janë paditur për krime të dyshuara në lidhje me trafikun e drogës, ndërsa policia gjermane ka sekuestruar 2.8 ton kokainë plus gati një ton marihuanë, hashash dhe heroinë.

Problemi, vëren BILD, është se “narko-mafia ka lidhje në politikën shqiptare deri në nivelet më të larta”. E thënë më pak fjalë: “Hetuesit gjermanë dhe ndërkombëtarë kanë në shënjestër edhe familjen e kryeministrit Edi Rama. Vëllai i tij, Olsi Rama, është nën hetim në lidhje me një rrjet të madh të trafikut të kokainës që vepronte në qytetin gjerman të Hanoverit”.

Më pas, raporti hyn në një territor që do të jetë i njohur për lexuesit e Washington Examiner: “Kryeministri Edi Rama është vetë subjekt hetimi, sipas dokumenteve të gjykatës amerikane, pasi i dha një ryshfet prej 250,000 dollarësh shefit të kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, Charles McGonigal.”

Tani që McGonigal është dënuar me burg për marrjen e parave të pista shqiptare, establishmenti i Uashingtonit, duke përfshirë FBI-në e turpëruar, është i kënaqur të lërë skandalin të zbehet.

Login to post comments