Lideri i opozitës, Sali Berisha ka vlerësuar protestuesit e vendosur demokratë të cilët janë mbledhur për më shumë se 175 ditë poshtë banesës së kryedemokratit, duke kërkuar lirimin e tij nga arresti politik me urdhër të Edi Ramës.
‘Protesta i ka kallur datën gjer në palcë Ramës dhe lakejve të tij. Si kurrë ndonjëherë ai ka vendosur një censurë totale’, u shpreh Berisha në tubimin qytetar poshtë banesës së tij në ‘Rrugën e Shpresës’.
Berisha: Mirëmbrëma dhe mirënjohjen më të pakufishme për protestën, qëndresën tuaj qëndrestare dhe qëndrestarë të pamposhtur për një kauzë të drejtë, kauzën e lirisë, dinjitetit, shpresës dhe të ardhmes së shqiptarëve.
Një përshëndetje të përzemërt oratorëve që kanë shndërruar këtë platformë në platformën e mendimit të lirë, fjalës së lirë.
Protesta dhe fjala juaj kanë tmerruar, i kanë kallur datën gjer në palcë Edi Ramës dhe lakejve të tij.
Si kurrë ndonjëherë, mbi ju është vendosur një censurë totale nga mediat e kontrolluara nga Edi Rama sepse këtu thuhen të vërtetat më të hidhura.
Këtu damkoset narkoshteti.
Këtu mbrohet interesi kombëtar dhe interesat e çdo qytetari shqiptar që jeton me mundin, djersën e tij dhe që e do këtë vend një vend të lirë.
Të dashur qytetare dhe qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë.
Sot nga thellësitë e shpirtit dhe zemrës të çdo shqiptari që e do Shqipërinë, të çdo qytetari që do lirinë, vjen një thirrje për secilin prej jush, të bashkohemi në mosbindje civile dhe protestë për të çelur për Shqipërinë dhe shqiptarët dyert e mbyllura të shpresës.
Dyert e mbyllura të begatimit.
Dyert e mbyllura të dinjitetit njerëzor dhe kombëtar.
Sot, çdo shqiptar është i thirrur të ngrihet në sakrifica dhe të mos lejojë që vendi i tij të tretet, të shkretohet, të pakësohet dhe varfërohet çdo ditë e më shumë.