‘Dhuna fizike ndaj gazetarit dhe operatorit të ‘Piranja’/ Unioni i Gazetarëve Shqiptarë: Ngjarje tronditëse

E mërkurë, 26 June 2024 00:30
 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar në lidhje me sulmin fizik dhe verbale ndaj reporterit Freard Rista të emisionit investigativ ‘Piranja’ në SYRI TV, si dhe operatorit i cili mundësoi ruajtjen e sekuencave dhe imazheve të kësaj ngjarjeje tronditëse.

Në deklaratën për mediat, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë thekson se ‘kallzimi zyrtar i bërë nga reporteri Rista, ndaj personave të dhunshëm, pasoi me  nisjen e procedimit juridik ndaj personave të akuzuar, ndonëse ende procesi gjykues mbetet i panisur’. 

 

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë:

Përballjet e reporterëve në detyrë, me dhunues dhe agresorë- shkelës të ligjit, dëshmi e risqeve për raportim të lirë.

Tiranë më 25 Qershor 2024

Aktet e sjelljes agresive, të refuzimit të dhunshëm si dhe kërcënimeve prej individë, subjekte tregëtare dhe persona të ndryshëm që kanë atribute si administratorë të subjekteve me veprimtari tregëtare e publike, ndaj reporterëve dhe kryesisht atyre investigues, janë shtuar ndjeshëm.

Pranë UGSH, për periudhën e dy muajve të fundit, janë denoncuar gjashtë raste të ndodhura ndaj kolegëve të emisioneve dhe mediave të ndryshme.  Në datën 18 qershor 2024, përmes imazheve të publikuara në emisionin “Piranjat” u denoncua dhuna fizike dhe verbale ndaj reporterit Freard Rista, madje edhe goditja e tij me sende të forta si dhe dëmtimi i mjeteve të punës së gazetarit. Dhunë u ushtrua edhe ndaj operatorit të emisionit në fjalë, i cili njëherësh mundësoi ruajtjen e sekuencave dhe imazheve të kësaj ngjarjeje tronditëse. Kallzimi zyrtar i bërë nga reporteri Rista, ndaj personave të dhunshëm, pasoi me  nisjen e procedimit juridik ndaj personave të akuzuar, ndonëse ende procesi gjykues mbetet i panisur.

 Ndërkohë që më herët, një tjetër ankesë për kërcënim dhe gjuhë intimiduese pranë UGSH ka ardhur edhe prej reporteres R.Cerga e emisionit “Vetting”, e cila e disponon të regjistruar dialogun dhe këmbënguljen intimiduese të personit në intervistim.

Në harkun kohor të kësaj periudhe dy mujore, denoncime për agresione të tilla ndaj reporterëve ka pasur edhe prej disa mediave dhe emisioneve investigative si dhe atyre online si dhe vendore. Në këto denoncime theksohet fakti i dhunës në rritje qoftë si agresivitet verbal ashtu edhe si cënim i integritetit fizik të gazetarëve. Madje në pesë raste ka sulme mbi mjetet dhe logjistikën e reporterëve në detyrë.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ngre zërin ndaj institucioneve ligjzbatuese për një reagim të shpejtë në kohë dhe vënie në çdo rast para përgjegjësisë ligjore të agresorëve dhe kërcënueseve të reporterëve.

Rastet e përmendura edhe pse janë denoncuar pranë organeve ligjore, vijojnë të mbeten në pezulli dhe në procedim pa afat kohor, gjë që lenë hapësirë për nënvleftësim dhe lënie në kalenda.

UGSH ndaj këtyre rasteve jo vetëm që ngre zërin, por duke qenë besnik i solidaritetit të përhershëm me kolegët e terrenit, kërkon që denoncimet publike të jenë edhe juridike, madje të publikohen nga të gjitha mediumet. Ndërkohë që apelojmë për ndjekje rigoroze të proceseve të nisura dhe shtim të vëmendjes së të gjitha organizatave. Këmbëngulja jonë  konsiston në faktin që askush të mos lihet jashtë përgjegjësisë ligjore. Personat që janë protagonistë apo pjesëmarrës në akte kërcënuese e aq më tepër dhunuese ndaj gazetarëve, meritojnë ndëshkim të pashmangshëm ligjor.  

Zyra Informuese

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Login to post comments