Pak minuta shi përmbyt rrugët e Tiranës, bllokohen ‘pustetat e Lalit’

E Enjte, 27 June 2024 11:27
 

Ditët e nxehta me temperatura të larta janë zëvendësuar sot nga ulja e temperaturave dhe reshjet e shiut.

Përtej propagandës së Erion Veliajt, Tirana çdo ditë dhe më shumë zhytet në një kaos të vërtetë për shkak të ndërtimeve pa kriter të kullave dhe infrastrukturës të shkatërruar pothuajse në çdo lagje të kryeqytetit.

Të shumta janë rrugët që çahen nga ndërmarrja e ujësjellës-kanalizimi dhe më pas qytetarët dhe banorët kalojnë një ‘kalvar’ vuajtjesh ku përditë duhet të ecin në baltë, ujë dhe rrugë të shkatërruar.

Ditën e sotme mjaftuan vetëm disa minuta shi për të shkaktuar “kaos” në kryeqytet ku shumica e rrugëve kryesore janë të përmbytura.

Siç ndodh rëndomë, edhe këtë herë pusetat e Veliajt janë të bllokuara ndërsa qytetarët ndihen të braktisur nga kryebashkiaku që vetëm ‘firmos’ për ndërtimin e kullave me qëllim betonizimin dhe shkatërrimin e Tiranës. 

Raportohet për trafik të rënduar në gjithë Tiranën dhe probleme me qarkullimin e mjeteve dhe të njerëzve.

  • Pamjet nga përmbytjet
  • Dorëheqja e Veliajt

Kujtojmë që ditën e nesërme (të premte) shoqëria civile së bashku me opozitën do të protestojnë sërish përballë Bashkisë së Tiranës për të kërkuar largimin e kryebashkiakut Erion Veliaj pas aferës “5D”, ku disa prej drejtorëve të kësaj Bashkie kishin përfituar miliona euro tendera nga kjo bashki apo institucione vartëse të saj me kompaninë e tyre “5D Konstruksion”, që sipas SPAK, pronarët “de facto” të saj ishin Mariglen Qato dhe Redi Molla.

Veliaj është i detyruar të japë “llogari” dhe të sqarojë këshilltarët në këshillin bashkiak, se çfarë kishte ndodhur, se si kishin avulluar 30 milionë euro të taksave të qytetarëve nga buxheti te xhepat e të drejtorëve të emëruar prej tij.

Login to post comments