Domethënia e një lajmi pa lajme

E Enjte, 27 June 2024 11:29
 
Nga Genc Pollo 
 
 

Media njoftoi dje se tregu i punës hapet mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Marrëveshjet për çështje mes Tiranës, Beolgradit e Shkupit të ratifikuara në parlamentet e tre shteteve kanë hyrë në fuqi. Këto marrëveshje janë në kuadrin e nismës Ballkan Hapu dhe qeveria Rama i konsideron sukses. Edhe pse nismën nuk para e përmend më.

Për të qenë realist e objektiv me këtë “arritje” lipsen të konsiderohen dy vërejtje përmbajtësore:

Vërejtje 1:

Saktësisht e njëjta masë, pra hapja e tregut të punës, është marrë në kuadrin e Procesit të Berlinit / Tregu i Përbashkët Rajonal. Dallimi fort i rëndësishëm është që me ketë masë janë dakorduar dhe e kanë aprovuar të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Pra edhe Kosova, Mali i Zi e Bosnja-Hercegovina. (me përjashtimin e Serbisë që nuk njeh dokumentet e lëshuara nga Kosova).

Pra arritja e Ballkan Hapu! është një dublikatë e fragmentuar, e panevojshme.

Ndërkohë që kjo nismë u përdor për të izoluar Kosovën; si dhe për të dëmtuar fermerët e Shqipërisë me importin e produkteve të subvencionuara.

Vërejtje 2:

Hapja e tregut të punës është në parim pozitive. Po të kishte ndodhur 20 a 30 vjet më parë kur oferta për zanatçinj e profesionistë ishte e lartë kjo hapje tregu do të sillte një dinamikë të dobishme. Por sot në Ballkan ka kërkesë për dhjetëra mijë vende pune ndërsa zanatçinjtë e profesionistët i ka thithur tregu i Bashkimit Europian. Pra kjo hapje tregu do të ketë impakt minimal ose zero. Në vend të saj do të vlenin nisma për të frenuar emigrimin e për të nxitur lindshmërinë e favorizuar familjen.

...

Por qeveria Rama, gjatë 11 viteve të saj nuk ka dëshmuar as vizion e as vullnet për këto dy probleme.

Emigracionin e shfrenuar fillimisht e mohoi; pastaj e quajti normal; dhe më në fund deshi ta trajtonte thjesht me masa administrativo-shtrënguese si p.sh. me diplomantët e mjekësisë.

Kurse për familjen e lindshmërinë ka prezantuar legjislacion armiqësor ndaj tyre si ai për abortin e surrogacinë.

Login to post comments