Kreu i PD, Sali Berisha në fjalën e tij përpara protestuesve është shprehur se e falënderon prokuroren guximtare që firmosi sekuestrimin e 50 milionë eurove të klanit Boçi, të lidhur me Edi Ramën dhe Erion Velinë.
Berisha ndër të tjera theksoi se drejtësia e Gjokave, e Dumanëve, e Sadushëve është drejtësi e krimit.
Fjala:
Miqtë e mi, kjo dramë që u luajt në dyert e Skrapit të partisë është një apel për çdo shqiptar të ngrihemi.
Të ngrihemi se pa drejtësi nuk ka liri.
Se drejtësia e Gjokave, e Dumanëve, e Sadushëve është drejtësi e krimit.
Drejtësi e narkokrimit.
Drejtësi e narkoshtetit.
Askush nuk duhet të dekurajohet.
Shqipëria, ju garantoj se ka juristë të shkolluar në shkollat më të mira të botës, se edhe në sistemin e sotshëm ka nga ata që i kanë shpëtuar gjahut të shtrigave sorosiane, me të cilat Xhorxhi e shndërroi drejtësinë në degë të ekzekutivit, të gatshëm të bëjnë ligjin, të respektojnë ligjin, të respektojnë Kushtetutën.
Jam këtu për të përshëndetur prokuroren guximtare që firmosi sekuestrimin e 50 milionë eurove të klanit Boçi, të lidhur me Edi Ramën këmbë e kokë; të klanit Boçi, të lidhur me Erion Velinë këmbë e kokë; të klanit Boçi, të lidhur me Velicën këmbë e kokë.
Thuhet se gruaja e Boçit ka qenë edhe këshilltare e Edvin Ramës.
Por miqtë e mi, kjo zonjë apo zonjushë se unë nuk e njoh, ka një rrogë të paktën katër herë më të ulët se Zamani dhe zamanët e tjerë të Skapit.
Dhe me një firmë sekuestron më shumë se në pesë vite Skrapi i partisë.
As nuk ka mbrojtje, as nuk ka badigardë, por ka nderin dhe integritetin e vet dhe merr vendime të tilla.