Berisha: Kongresi i Metamorfozës dëshmoi përfundimisht se aty ka vetëm një njeri dhe ai është padrinoja Edi Rama

Hënë, 29 July 2024 21:16
 

Lideri i opozitës Sali Berisha, në tubimin e përnatshëm në 'Rrugën e Shpresës', u shpreh se Edi Rama dje përmbysi ministra dhe emëroi ministra të cilët e morën vesh aty në sallë. 

Zoti Berisha u shpreh gjithashtu se kjo që bëri Rama në mbledhjen e partisë së tij është tallje e shkelmim i madh.

'Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju misionarëve të vërtetë të kauzës së madhe e të drejtë të çdo shqiptari.
Mirënjohje të pakufishme për qëndresën tuaj dhe oratorëve të kësaj platforme të fjalës së lirë që përcjellin çdo natë tek shqiptarët në terrin e tmerrshëm të censurës të neveritshme qeveritare të medieve të kontrolluara nga narkoshteti, përcjellin të vërtetat në mendjet dhe zemrat e shqiptarëve, në votrat e tyre.
Të dashur miq, normale është që njerëzit të debatojnë, të diskutojnë për kongresin e djeshëm të Partisë së Krimit.
Por e vërteta është se çdo shqiptar që e ndoqi dje atë kongres, që ndoqi mediat dhe zbulimet e tyre gjen te kongresi vetëm Kongresin e Metamorfozës të Rilindjes së Edi Ramës.
Të asaj metamorfoze në të cilën në publik, në sallë, në fjalime, nuk figuronin familjet e mëdha mafioze të PS, por figuronin njëlloj si në dosjet e krimit të Metamorfozës, bosët politikë të krimit në Shqipëri dhe Ballkan.
Të krimeve të të gjitha llojeve.
Miqtë e mi, ju e patë se si njëlloj si në shpellën apo bodrumet më të errëta të mafies, padrinoja dje përmbysi ministra dhe emëroi ministra të cilët e morën vesh aty në sallë.
Duke dëshmuar përfundimisht në Kongresin e Metamorfozës se aty gjithçka, asamble, kryesi dhe çdo gjë tjetër është një njeri dhe vetëm një njeri dhe ky është padrino Edi Rama.
Për të faktuar këto që po them, ai pasi njoftoi shkarkime ministrash, kryeparlamentarësh, pasi vendosi kryqin e krimit mbi deputetët e tij, në mënyrën më poshtëruese, më qesharake, njoftoi se sot mblodhi kryesinë e partisë për të diskutuar për emërimet që bëri dje në kongres.
A ka tallje më të madhe se kjo?
A ka shkelmim më të madh se ky?
A ka dëshmi më flagrante të Metamorfozës së plotë të Rilindjes së Edi Ramës, metamorfozës së saj në krimin politik, krimin ordiner, krimin e gjithanshëm?
'- u shpreh lideri i opozitës.

Login to post comments