Dramë në Shëngjin! Digjet banesa dhe disa biznese, turistët largohen të tmerruar

E mërkurë, 31 July 2024 11:27
 

Shëngjini është kthyer në një ferr të vërtetë për shkak të situatës së rënduar nga zjarret. 

Prej më shumë se 4 ditësh zjarret në kodrën e Shëngjinit vijojnë të djegin sipërfaqe të mëdha me pyje e shkurre, teksa flakët ditët e sotme janë afruar në hotelet dhe resortet e mbushuara me turistë duke ofruar çaste tmerri e pamje dramatike.

Ndërkohë, siç mund të shihni në video, në një moment zjarrfikësit dhe policia vrapojnë për të shpëtuar nga një vatër shumë e madhe flakësh të cilat u rrezikuan jetën.

 
 
  • Rradhë kilometrike në autostradë, turistët largohen të tmerruar

Situata alarmante ka krijuar panik tek turistët e huaj si dhe pushuesit e tjerë nga Kosova dhe Shqipëria, veçanërisht tek fëmijët.

Shumë pushues janë larguar nga hotelet për shkak se flakët janë afruar shumë pranë dhe ata kanë ndërprerë pushimet. Bëhet e ditur se shumë pushues kanë sendet personale brenda në hotele dhe shtëpi, të cilat nuk po arrijnë t’i marrin dot.

Radhë të gjata makinash, kryesisht me turistë të huaj janë krijuar pasditen e së martës në zonën Shëngjinit, në tentativë për t’u larguar për shkak të situatës së rënduar nga zjarret.

  • Digjet shtëpia dhe disa biznese

Deri në këto moment është djegur dy beach bare, disa çadra dhe një shtëpi trekatëshe, teksa flakët vijojnë t’i afrohen gjithnjë e më shume qendrës së Shëngjinit.

  • Mbërrin ndihma europiane me 2 avionë

Dy avionë të llojit Canadair, të mbrojtjes civile europiane kanë nisur betejën me flakët në Shëngjin, pak minuta më parë.

Avionët të aftë të ulen në sipërfaqen e detit për t’u furnizuar, po hedhin sasi të mëdha uji, në zonat ku flakët tashmë ndodhen pranë banesave.

Ndërkohë, qindra zjarrfikës nga Lezha, Shëngjini dhe qytetet përreth, të ndihmuar dhe nga Forcat e Armatosura po punojnë për të vënë zjarret në kontroll.

  • Kërkohet evakuimi i banorëve dhe pushuesve

Policia ka urdhëruar evakuim të plotë nga zona për të gjithë pushuesit dhe banorët, veçanërisht të lagjes së Portit. Shkak është fakti se pranë saj ndodhet një depozitë gazi 5 mijë litërshe.

Reportohet se shumë banorë nuk janë larguar nga banesat e tyre nga frika se mos u digjen. Madje shumë prej tyre po ndihmojë forcat zjarrfikëse për të shuar flakët.

Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohet për asnjë të lënduar.

  • OSSH heq energjinë elektrike

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka njoftuar se ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike në zonën e “Ranës së Hedhun” në Shëngjin, për shkak të zjarrit që e ka përfshirë atë.

Sipas njoftimit, vendimi është marrë pas kërkesës së strukturave të rendit, si masë e nevojshme sigurie për të shmangur rreziqet e mëtejshme në zonën bregdetare, ku flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe kanë arritur deri në bregdet.

“Ekipet tona ndodhen në terren, në mbështetje të grupeve të emergjencës së krijuar për shuarjen e zjarreve”, thotë OSSH.

Login to post comments