Mesazhi në shqip i të Ngarkuarës me Punë në ambasadën e SHBA-së, tri pyetjet për shqiptarët

Tuesday, 06 August 2024 14:42
 
Nancy VanHorn 

E Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn, ka reaguar për herë të parë me një mesazh në gjuhën shqipe pas marrjes së detyrës. 

Përmes një videomesazhi të publikuar nga ambasada e SHBA-së në Tiranë, VanHorn shpreh interesin për të zbuluar dhe mësuar më shumë për Shqipërinë.

Ajo thekson se është e emocionuar që ndodhet në Shqipëri dhe që do të punojë për qëllimet e përbashkëta për të promovuar vlerat demokratike, për të rritur sigurinë dhe bashkëpunimin si aleatë të NATO-s, për të çuar përpara rritjen ekonomike dhe për të ecur drejt BE-së.  

“Nga viti 2007 kur iu bashkova Shërbimit të Jashtëm të Shteteve të Bashkuara, kam punuar si diplomate në të gjithë Evropën Lindore, përfshirë ambasadat në Ukrainë, Armeni dhe Rusi. Jam e emocionuar që ndodhem në Shqipëri dhe që do të punojmë për qëllimet e përbashkëta për të promovuar vlerat demokratike, për të rritur sigurinë dhe bashkëpunimin si aleatë të NATO-s dhe për të çuar përpara rritjen ekonomike. Jam e përkushtuar që të mbështes Shqipërinë në rrugën drejt BE-së dhe të forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Kam qenë duke mësuar shqip dhe mezi pres të zbuloj vetë kulturën e pasur të Shqipërisë. Për këtë më duhet ndihma juaj për të filluar. Kam tri pyetje për ju. Cilin vend duhet të vizitoj të parin? Cili është ushqimi që duhet të provoj patjetër? Cilin libër që tregon shpirtin e vendit tuaj më rekomandoni? Komentoi këtu për idetë tuaja. Faleminderit për mikpritjen tuaj të ngrohtë në vendin tuaj të bukur. Pres me kënaqësi të zbuloj, të mësoj dhe të krijoj miqësi që i qëndrojnë kohës”, u shpreh VanHorn.

E Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn, ka marrë detyrën më 5 gusht dhe takimi i saj i parë ishte me Presidentin Bajram Begaj.

Diplomatja amerikane zëvendëson në këtë detyrë David Wisner, i cili përfundoi misionin e tij në vendin tonë./CNA 

 
 
 
 
 
Login to post comments