Banda e Shqipërisë Dixhitale/ Miliarda me tendera sekretë, përgjime dhe të penduar në AKSH

Tuesday, 06 August 2024 15:33
 

Në datën e fundit të çdo muaji, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit derdh një pagesë prej 142 mijë eurosh në llogarinë e kompanisë Advanced Business Solutions. Pagesa është rezultat i një tenderi sekret të zhvilluar në verën e vitit të kaluar me objekt mirëmbajtjen e infrastrukturës së qendërzuar për hostimin e sistemeve qeveritare dhe e infrastrukturave mbështetëse të datacenterit qeveritar.

Kjo është një kontratë mirëmbajtje, e cila nuk ka asnjë shpenzim për blerje pajisjesh apo çfarëdo shpenzimi tjetër, përvec kostos së punonjësve. E megjithatë, të dhënat nga bilanci zyrtar tregojnë se e gjithë kostoja mujore e pagave të kompanisë Advanced Business Solution është 128 mijë euro.

Pra vetëm me kontratën sekrete të mirëmbajtjes së infrastrukturë së qendërzuar kompania, jo vetëm që paguan të gjithë faturën e rrogave, por heq edhe 14 mijë euro mënjanë çdo muaj. Por kjo nuk është pagesa e vetme sekrete që AKSHI i derdh ABS-së çdo muaj. Të dhënat e thesarit tregojnë se kompania përfiton të paktën edhe tre pagesa të tjera mujore për kontratat sekrete nga AKSHI, të cilat variojnë nga 11 deri në 18 mijë euro në muaj.

Në total ABS përfiton mesatarisht 180 mijë euro në muaj pagesa për kontratat sekrete që ka fituar nga AKSHI. Edhe këto janë të gjitha kontrata mirëmbajtje, pa asnjë shpenzim shtesë veç kostos së punës. Dhe mjaftojnë vetëm këto katër pagesa që kompania të shlyejë tërësisht fondin e pagave dhe të fitojë minimalisht 50 mijë euro në muaj. 

Rasti i kompanisë ABS është vetëm një nga këneta e madhe e tenderave sekretë të AKSHI-t. Tre kompani të tjera të quajtura Ikubinfo, Infosoft dhe Intech+ marrin çdo muaj 390 mijë euro pagesa për një kontratë sekrete që e kanë fituar në bashkëpunim. Bëhet fjalë për mirëmbajtjen e Infrastrukturës eGov dhe Platformës Qeveritare të Ndërveprimit.

Edhe kjo kontratë me afat 2 vjeçar është e gjitha mirëmbajtje, pra nuk ka asnjë shpenzim për blerje pajisjesh apo kosto të tjera përveç punës. Dhe paratë vazhdojnë të rrjedhin çdo muaj deri sa të plotësohet shuma prej 10 milionë eurosh, që është vlera totale e kontratës.

Biznes gjigand

Të dhënat zyrtare tregojnë se në që nga viti 2019, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka kryer 66 milionë euro pagesa për kontrata sekrete. Shifra vazhdon të rritet nga muaji në muaj, teksa hapësira e shërbimeve dixhitale zgjerohet gjithmonë e më shumë.

Ky është një biznes gjigand, që e bën inceneratorin e Tiranës të duket një lodër e vogël. Për këtë mjafton vetëm një statistikë. Aq sa paguhet në muaj inceneratori i Tiranës, AKSHI i bën vetëm pagesa për kontra sekrekte.

Aktualisht AKSHI paguan mesatarisht 1 milionë e gjysmë euro në muaj për kontratat sekrete. Përfituesit e këtyre parave janë një grusht i vogël kompanish, të cilët rezultojnë dhe bizneset më normat më të mëdha të fitimeve në Shqipëri.

Kapitali analizoi bilancet e disa prej kontraktorëve më të mëdhenj të AKSHI-t. Normat e tyre të fitimeve variojnë nga 20 deri edhe në 70 për qind e xhiros. Dhe kjo pa marrë parasysh nënkontraktimet që këto biznese bëjnë tek biznese të tjera të lidhura me to, të cilat rezultojnë në zhvendosje masive fitimesh.

Normat stratosferike të fitimeve dëshmojnë qartë se tenderat e AKSHI-t prokurohen me çmime disa fish mbi koston reale. Dhe ndërsa qytetarët paguajnë faturën e kripur të kënetës dixhitale të korrupsionit, një grusht i vogël kompanish janë shndërruar sheikët e vërtetë në mesin e sipërmarrjes shqiptare.

Të penduar dhe përgjime

Në maj të vitit të kaluar, hetuesit e BKH dhe prokurorët e SPAK mësynë në zyrat e AKSHI-t duke sekuestruar telefona dhe kompjutera nga punonjësit e institucionit. Por drejtoresha e AKSHI-t u la jashtë këtij aksioni. Megjithatë Mirlinda Karçanaj është thirrur disa herë në zyrat e SPAK në kuadër të hetimeve për tendera.

Kapitali ka mësuar se janë disa tendera, të cilët kanë rënë në rrjetën e Prokurorisë së Posaçme. Mes tyre, njëri më flagranti është tenderi 16 milionë euro për laboratorët smart në 216 shkolla të vendit.

Tenderi i fituar nga kompania Albascan është veshur me dyshime shumë të forta për korrupsion për shkak se fondi limit i tij u rrit me 3 herë krahasuar me një tender identik që AKSHI kishte kryer një vit më parë. Por përtej kësaj, Kapitali ka mësuar se laptopet e përdorur për klasat laboratorike janë zhdoganuar me çmim gati katër herë më të ulët në doganë se sa çmimi që i janë shitur AKSHI-t.

Për të mbuluar diferencat skandaloze në çmime, kompjuterat janë shitur në tre duar brenda vendit, përpara se të shkojnë tek AKSHI. Trekendëshi i shitjeve është realizuar mes kompanive Infosoft Systems, Advances Business Solutions dhe Albascan.

Fill pas këtij tenderi dhe me nisjen e hetimeve, kompania Advanced Business Solutions është zhdukur në mënyrë urgjente nga tenderat e AKSHI-t dhe që nga fillimi i këtij viti nuk hyn më në asnjë procedurë prokurimi të këtij institucioni.

Burime nga prokuroria kanë konfirmuar se në rrethin e kompanive të përdorura për të tretuar miliarda nga AKSHI ka dëshmi të penduarish, ndërkohë që ish kryeministri Sali Berisha dhe më vonë ish zvkryeministri Arben Ahmetaj kanë deklaruar se ka dhe një përgjim ambiental, në qendër të të cilit qëndron pikërisht kompania Advanced Business Solutions.

Por pastrimi i kënetës dixhitale do të kërkojë shumë më tepër se sa largimi i një kompanie. Sepse tani ajo ka rënë në duart e krimit të organizuar.

Login to post comments