Pak ditë më parë u bë publike një video e regjistruar në një lokal të Vjenës.
Ndërsa kamerieri filetonte dry-age (mishin), një gazetar i arratisur për t'iu fshehur SPAK-ut përshëndeste me dorë kamerën.
Nuk dihet nëse videoja është shpërndarë si sfidë ndaj SPAK-ut, apo ajo thjesht është hedhur në rrjete sociale nga autori pa i dhënë shumë rëndësi efektit që do të kishte përcjellja e saj nga një celular në tjetrin.
Por të paktën 3 personazhe të lidhur fort me inceneratorët u shfaqën në të njëjtën tavolinë duke konsumuar mish të shtrenjtë, në një qytet të shtrenjtë.
Tavolina gjendej në Vjenë dhe Vjena gjendet në Austri.
Inceneratori i Tiranës vazhdon paguhet rregullisht sikur po inceneron plehrat e gjithë Evropës dhe transfertat mbërrijnë kollaj deri në Vjenë.
Ashtu si personazhet e filmimit amator edhe një çift jeton në Austri.
Megjithëse nuk mund të ishte prezent në të njëjtën tavolinë, jeton në Austri.
Çifti jetojnë prej vitesh si emigrantë të rregullt. Çifti kishte ndërtuar jetën e vet modeste mes kantos dhe pianos dhe asgjë nga karriera e tyre e mëparshme në Austri nuk justifikon e nuk shpjegon dot pasionin e papritur për të filluar ecejaket me Shqipërinë në emër të kauzës së promovimit të artistëve të rinj shqiptarë.
Pasioni i tyre, rastësisht lindi njëkohësisht me braktisjen nga bashkëshortja e Veliajt të pasionit të vet për jurisprudencën.
Në biznesin e kurimit dhe promovimit të artistëve të rinj u përfshi bashkëshortja e Erion Veliajt, mamaja e bashkëshortes si dhe çifti shqiptaro-austriak me lidhje gjaku të shkallës së dytë me bashkëshorten e Erjon Veliajt, (daja Ermal). U ngritën të paktën dy subjekte tregtare dhe një OJF (përveç OJF-ve me pronare bashkëshorten e Erion Veliajt). Të gjitha u grumbulluan tek e njëjta adresë e administruar nga bashkëshortja e Erion Veliajt.
Mamaja dhe bashkëshortja e dajës së bashkëshortes së Erion Veliajt, që në vitin e parë të aktivitetit siguruan të ardhura të bollshme.
Në bilancet përkatëse të gjitha shumat janë ekspozur si shuma të destinuara për investime.
Dhe zyra e Tatim-Taksave sigurisht që nuk është kujdesur të verifikojë shpenzimin e tyre ose llojin e investimit për të cilin janë shpenzuar.
Por gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tironë!
Investimi mund të realizohet edhe në Austri. Art bëhet kudo! Akoma më shumë në Austri. Dhe lojtarët e inceneratorit të Tiranës e kanë treguar me vepra që janë të apasionuar pas artit dhe shpenzimeve për vepra arti.
Kanë vetëm një ves të keq. Veprat e artit që promovojnë, nuk dinë t'i ruajnë gjatë.