'Si një ndëshkim për këtë komb, 36-vjetori gjen në pushtet të birin e xhelatit të Havzi Nelës, Edi Ramën'

Saturday, 10 August 2024 21:14
 

Fjala e Kryetarit të PD, Sali Berisha, mbajtur sonte më 10 gusht 2024, përpara mbështetësve të mbledhur tek Rruga e Shpresës në Tiranë në të 222-tën ditë të arrestimit të tij politik.

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, ju misionarëve dhe misionareve të kauzës së drejtë, kauzës së lirisë, dinjitetit, votës së lirë, të qytetarëve shqiptarë, luftëtarëve të vendosur kundër formës më të egër, më çnjerëzore të diktaturës, diktaturë e bazuar në bandat, krimin, drogën, vjedhjen e qytetarëve shqiptarë, diktatura e Edi Ramës!

Të dashur miq!

Sot, mbarë shqiptarët, përulen me nderimin më të madh para veprës, kujtimit, shpirtit të pamposhtur, tribunit të vërtetë të lirive dhe të drejtave njerëzore, poetit disident Havzi Nela, i cili 36 vjet më parë, me firmën e diktatorit të fundit komunist, Ramiz Alisë, me firmën e skulptorit xhelat të intelektualëve, Kristaq Ramës, u var publikisht në qytetin e Kukësit vetëm një ditë para rënies së Murit të Berlinit.

Varja me litar e martirit të fjalës së lirë, e guximtarit legjendë, e atdhetarit të flaktë, përbën një nga aktet më makabre të diktaturës komuniste në grahmat e fundit të saj.

Havzi Nela ishte me poezitë e tij, Lajmëtari! Ishte Lajmëtari i fundit të diktaturës dhe përmbysjes së saj.

Ai, me vargjet e tij për liritë dhe të drejtat e njeriut, me vargjet e tij për frymën e Helsinkit, tronditi thellë regjimin e vetëm në Evropë që nuk kishte firmosur Kartën e Helsinkit, duke besuar se në këtë mënyrë do të shpëtonte prej frymës së saj.

Havi Nela, këtë frymë e mishëroi në poezitë e tij të pavdekshme si kushtrim lirie për shqiptarët. Ai e dinte se diktatori, kryexhelati i regjimit, me xhelatët e tjerë do t’i mirrnin jetën, por për atë më mirë i vdekur sesa i gjallë nën zgjedhën e egër të diktaturës komuniste.

Havzi Nela u var!

U përpoqën me të gjitha format ta damkosnin, të përhapnin terrorin e varjes së tij, por sot ai dhe përjetë ndodhet në panteonin e lirisë së kombit shqiptar, kurse xhelatët e tij Ramiz Alia, Kristaq Rama, digjen në ferrin e turpit të krimit, të terrorit, që i shkaktuan kombit të tyre dhe me të cilin, urdhëruan varjen e poetit të pavdekshëm!

Miqtë e mi! Si një  ndëshkim i madh për këtë komb, si një ndëshkim i madh për liritë e shqiptarëve, ky 36-vjetor gjen në pushtet të birin e xhelatit të Havzi Nelës (Kristaq Rama), Edi Ramën!

E kam përsëritur shpesh dhe prapë e them: Kurrë nuk mund të mbahet përgjegjës, djali, për veprimet e babait. Por kjo “kurrë” ka vetëm një kusht: që ai t’i dënojë ato.

Kanë kaluar 36 vjet dhe Edi Rama jo vetëm që nuk ka dënuar aktin e tmerrshëm të babait të tij biologjik, xhelatit Kristaq Rama,  por përkundrazi, përkundrazi, ka deklaruar se ai qëndroi në anën e drejtë të historisë!

Sipas Edi Ramës, këtij bastardi, që ndan me të atin, moralin e xhelatit, dhuna dhe terrori komunist, lufta e klasave, barbaritë e etërve të tij mbi shqiptarët, paskan qenë ana e drejtë e historisë!!!

Sipas këtij bastardi, varja e Havzi Nelës, varja publike e poetit disident që i këndoi lirisë dhe Kosovës, ekzekutimi me gjyq dhe pa gjyq, i dhjetëra mijëra shqiptarëve, internimi, persekutimi i qindra mijëra të tjerëve paskan qenë ana e drejtë e historisë, ndërsa kombet që jetonin në liri, paskan qenë në anën e gabuar të saj.

Xhelat bir xhelati! Nuk mund të kesh mendim tjetër ti përveç këtij!”

36 vite më parë kryexhelati Ramiz Aliaj, me xhelatin Kristaq Rama firmosën të varin poetin kundërshtar disident, sepse i këndonte lirisë dhe të drejtave të njeriut që ata i kishin mohuar me kushtetutë. I këndonte Kosovës së pushtuar që ata e kishin shitur. 

Pra, ata ishin për një Shqipëri pa opozitë, por sot pas 36 vitesh, bastardi i xhelatit Kristaq Rama, ka faktuar me qindra herë se nga mëngjesi gjer në darkë, punon si varrmihës i demokracisë për një Shqipëri pa opozitë."

Login to post comments