Thërrimet 224 mijë metër të 'Olsit' me VKM-në e vëlla Edit, dhe 410 metrat e Malltezit..?!

Diel, 11 August 2024 18:10
 
Nga Basir Çollaku:
 
 

Ndërsa hingëllihet nga medaljet e të huajve me pasaportë shqiptare, Rama vrapon të mburrë qeverinë për këllqet personale të sportistëve, teksa ata duan pa ndonjë faj edhe përkthyes në shqip. Medalje me qera, por statistikat mbeten si për sevap globalist. Pa humbur sekonda vrapon edhe mutanti i Bashkisë të zvarraniket pranë fituesve në Francë, pasi ka shembur palestra për leje pallatesh.

Kafshërimi i parave publike ka mbjellë maskaradë mundësish për shërbime kudo. Zjarret prej javësh bëjnë kërdinë pyjeve, helikopterët e pretenduar për raste të tilla janë bërë teneqe nëpër reparte. Në jo pak treva shkrepësja në zona të gjelbërta kërcet për toka të reja trojesh, ndonëse hetimi dremit bashkë me vapën.

Vunoisti i vonuar

Duket se Vuno e tatëpjetë, siç ka qenë nuk do të jetë. Ka rilindur dhe vunoisti i vonuar Edi Rama me fisin. Dosja e verës madje e vitit, është ajo e pronave të dajave, kolekëve, ku nipi kryeministër Edi, na gdhihet pasha në Vuno. Ta gëzojë. Por hetimi, i bie ta bëjë SPAK, ka një numër të madh veprimesh për të verifikuar ligjërisht për vëllanë vendim-marrës. Investigimi penal duhej të kishte nisur kryesisht pasi gazetari Armand Maho publikoi një dosje të qepur me shkresa.

Pasi mori në dy palë zgjedhje brenda një viti Himarën, u zbulua se KM na paska qenë meraklo për 224 mijë metër katror të fisit e vëllait se ai nuk donte asgjë, vetëm sajdiste kushërinjtë me së paku nja 7 e kusur VKM rehatuese. Malltezi pas 15 vitesh nëpër gjyqe, nga gjyshërit përfiton 410 metër katror. Sa një hyrje ndryshe nga Olsi për të cilin kujdeset Edi me 224 mijë metër. Për ironi të Prokurorisë edhe ato 410 metra ku merr pjesë takuese Malltezi, në çështjen e kompleksit "Partizani" firmëtar për të mundësuar më tej procedurën është Edi Rama të cilin prokurorët nuk pipëtijnë ta përmendin e ta shkruajnë si emër . Është 1600 herë më tepër se Jamarbër Malltezi. Për këtë flluskë ligjore të sajuar arrestohet lideri i opozitës zoti Berisha. Katër vite hetim zero prova. Nuk provohet askund paligjshmëri. Në asnjë metër. Një arrest ambasadash, pa precedent në arkivin e drejtësisë të re e të vjetër.

Byroistët e persekutuar pas pilafit, shfaqen në vitin e 12-të të qeverisë së nipave dhe marrin hisen me një dosje plot telashe e kurdisje. Byroja e re u zhvendos në Himarë.

Atje në viset e VKM-ve, ku bashkë me Oltën strategjike, Hysenin deputet te Task Forcës, ku u harruan të qëroheshin mbivendosjet e Arturit, me Samirin e gjithëgjendur të qerasur me një tunel qeveritar 190 milionë euro, e mjaft dosje trafiqesh e tenderash, me të pandehur të shfaqur si pronarë safi në bregdet, ku nuk kanë munguar problemet e mjergullta të pronësisë. Në një reagim azmatik Rama turfullonte se do të shkonte në gjyq. Zahmet e mos u vono për gjyqin e tokës bë Vuno, se mbase detyron ndokënd të hetojë. Duhej ta kishin bërë me kohë. Më kujtohet kur deklaronte pas shkrimeve në Bild se do më hidhte në gjyq, se i kishin dalë përgjimet e tërmeteve elektorale. Apo kur u tërhoq nga padia në Berlin ndaj gazetës gjermane e kërkonte 100 mijë euro dëm, pasi i thanë se je dava-humbur . Ai blloku pas zgjedhjeve kryetarit post-Beleri, e Tavos mos ka pasur udhëzime të hedhin sytë me kujdes nga dosja për ta zbukuruar.??! Bën vaki. Prokuroria e Posaçme është në hall. Nuk hapin dot procedim penal ndaj një zyrtari apo zullumi të madh sepse do të shfaqet Edi Rama gjithkund me lugatërinë plaçkitëse..

Login to post comments