Veliaj 'qelb' Tiranën me plehra, banorët: Nuk hapim dot dritaret

Diel, 11 August 2024 23:49
 

Tjetër zonë e Tiranës po përballet me emergjencë mjedisore. Këtë të diel SYRI TV filmoi mbetjet urbane të papastruara prej një jave tashmë në zonën e Misto mames në Kombinat. Plehrat kanë nisur të dekompozohen duke u bërë vatër infeksioni për banorët. Erion Veliaj jo vetëm që ka zgjedhur të heshtë, por i bën karshillëk qytetarëve duke publikuar foto nga olimpiada e Francës. 

Prej më shumë se një jave tashmë, kryeqyteti i rinisë apo i sportit, siç Erion Veliaj preferon ta quajë Tiranën, është duke u shndërruar në kryeqendrën e emergjencës mjedisore në vend. Pamjet që po shihni në ekran, janë xhiruar këtë të diel nga kamera e SYRI TV, në zonën e ‘Misto Mames’, pranë pallateve ‘Çabej’.

Siç shihet, prej ditësh mungesa e pastrimit ka bërë që koshat të tejmbushjen, ndërsa plehrat të përhapen në rrugë, duke u kthyer në bombë me sahat për banorët e zonës.

Banorë të kësaj zone kanë dërguar dhjetëra mesazhe denoncimi në redaksinë e SYRI TV, ku shprehen se mbetjet kanë nisur të dekompozohen në kosha, duke shkaktuar ndotje masive. Banorët thonë se mbetjet nuk pastrohen prej ditësh, ndërsa tregojnë se situata po bëhet e rrezikshme pasi mbetjet hidhen edhe në bodrumet e pallateve, duke u kthyer në kërcënim për shëndetin e tyre.

Kjo situatë skandaloze vjen në një kohë kur bashkian e Tiranës shpenzon rreth 20 milionë euro në vit për pastrimin dhe dërgimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës. Por teksa situata me ndotjen është duke u kthyer në emergjencë mjedisore për qytetarët, Erion Veliaj jo vetëm që ka zgjedhur të heshtë duke mos dhënë shpjegime për pastrimin e qytetit, por u bën karshillëk qytetarëve të Tiranës, duke postuar foto nga turi i tij në Francë për të ndjekur lojërat olimpike.

Login to post comments