Berisha: Shqipëria tejkalon dhe Rusinë e Putinit. Drejtësinë e re e bëri mafia e Sorosit për të çelnikosur pushtetin e Ramës

Diel, 11 August 2024 23:53
 
 

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar ka risjellë në vëmendje diktaturën komuniste, që njëjtë si regjimi i Edi Ramës, ka krijuar mekanizma antiligjorë për të kontrolluar vullnetin e qytetarëve. ‘Regjimi ka krijuar mekanizma kriminale, antiligjore për të kontrolluar vullnetin dhe çdo rezultat elektoral’, u shpreh Berisha.

Kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se tubimi te ‘Rruga e Shpresës’ është një thirrje për çdo shqiptar që të protestojë për një shoqëri të lirë. ‘Kjo protestë është thirrje për çdo shqiptar të ngrihet në mbrojtje të kësaj të vërtete themelore, për një shoqëri të lirë’, theksoi Berisha në fjalën para mbështetësve të tij. 

Gjithashtu Berisha theksoi se Shqipëria sot është vendi i vetëm në Europë, tejkalon Rusinë e Putinit, tejkalon Bjellorusinë e Llukashenkos, me tre drejtuesit kryesorë të opozitës të arrestuar ose në procese politike. ‘Këto janë akte madhore, kazëm në themel të kushtetutës, vetëm e vetëm për ti caktuar opozitës kryetarin që do Edi Rama. Vetëm e vetëm që opozita të ketë një kukull peqe lepe dhe sovraniteti i këtij vendit të shkelmohet nga mafia ndërkombëtare dhe mafia shqiptare’, theksoi Berisha në protestën maratonë te ‘Rruga e Shpresës’.

Duke u ndalur edhe njëherë tjetër te arrestimi politik i kryebashkiakut të zgjedhur të Bashkisë Himarë, Fredi Beleri, Berisha u shpreh se ky veprim u bë për interesa të kryeministrit Edi Rama. ‘Beleri fitoi, por u arrestua politikisht. Vangjel Tavo nuk është as grek, as vllah, as sllav, as shqiptar, është mafioz si Edi Rama’, u shpreh Sali Berisha gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar.

Në fund të fjalës së tij, Berisha denoncoi reformën në dretësi, që sipas kryedemokratit e bëri mafia e Xhorxh Sorosit. ‘Drejtësinë e re e bëri mafia, mafia e Xhorxh Sorosit për të çelnikosur pushtetin e Edi Ramës’, theksoi Berisha në protestën maratonë te ‘Rruga e Shpresës’.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ju, qëndrestareve dhe qëndrestarëve, misionareve dhe misionarëve të kauzës më të drejtë, të qytetarit, të kauzës më të drejtë, të kombit dhe vendit, kauzës së lirisë dhe interesit kombëtar.

Qëndresa juaj ka një karakter epik, sepse me shpirtin tuaj të pamposhtur, ju dëshmoni vendosmërinë, guximin, kurajën për të qëndruar kundër formës më të keqe, më të shëmtuar, por dhe më të rrezikshme të të gjitha diktaturave, që është diktatura e bandave e bazuar në lidhjet me krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve. Diktatura e Edi Ramës.

Ndaj dhe mirënjohja për këtë qëndresë është e pakufishme për ju, për oratorët e parlamentit të qytetarëve shqiptarë që me fjalimet e tyre përcjellin në mendjet dhe zemrat e shqiptarëve të vërtetat e hidhura të këtij regjimi, i cili është faktuar për çdo shqiptar, regjimi më shkatërrimtar në historinë tonë kombëtare.

Ju qëndroni çdo ditë dhe çdo natë kundër një regjimi që për interesa të pushtetit të tij kriminal, asgjësoi institucionin më themelor të lirisë, institucionin më themelor të demokracisë, votën e lirë të qytetarëve shqiptarë.

Një regjim i cili ka krijuar mekanizma kriminale, antiligjore për të kontrolluar vullnetin dhe çdo rezultat elektoral.

Të dashur miq!

Këto ditë mendoja, gjatë diktaturës komuniste çdo 4 vite bëheshin zgjedhje.

Zgjedhjet në mëngjes fillonin me daulle, në darkë me rezultat 99 për qind. Gjatë ditës së zgjedhjeve nuk kishte as edhe një incident. Po në zgjedhje kishte dhoma të fshehta, por njerëzit edhe në fshehtësi e jepnin votën, në kundërshtim të plotë me mendjen dhe zemrën e tyre, e jepnin votën për të keqen, sepse e dinin se ajo kontrollon në çdo qelizë ata.

Atëherë Shqipëria nuk pranonte vëzhguesit e OSBE-së, por sot ata vijnë, vëzhgojnë, vrojtojnë dhe damkosin. Deklarojnë se shteti elektoral kontrollon plotësisht vullnetin e qytetarëve, e megjithë këtë, megjithë eliminim e institucionit të defakto të votës, përsëri diktatura vazhdon.

Të krijohet përshtypja se sot, ngjashëm me vitet ’90, kur Ramiz Alinë përpiqeshin të na e servirnin si Gorbaçovin e Ballkanit, Edi Ramën të na thonë, mbajeni se mirë e keni.

Por ky nuk është mendimi juaj, ky është mendimi i atyre që nuk njohin këtë komb, por është mendim edhe i armiqve të kombit shqiptar.

Ndaj dhe kjo protestë para së gjithash dhe mbi të gjitha është protestë për votën e lirë.

Kjo protestë është protestë për dinjitetin e çdo qytetari. Nuk ka dinjitet pa lirinë e votës.

Kjo protestë është protestë për shpresën dhe të ardhmen. Nuk ka shpresë dhe të ardhme në këtë vend, pa votën e lirë.

U grabit vota dhe shqiptarët ja mbathin nga vendi i tyre, si nga një mënxyrë e hatashme, si kurrë në historinë e tyre.

Kjo protestë është thirrje për çdo shqiptar të ngrihet në mbrojtje të kësaj të vërtete themelore për një shoqëri të lirë.

Protesta juaj është protestë ndaj një regjimi që bazohet në lidhjet e krimit, drogës dhe vjedhjes. I cili rikthej burgjet politike. Rikthej burgosjet dhe dënimet politike.

Por të dashur miq!

Njëlloj sikundër diktatura komuniste, që kishte papagajtë e saj.

Njëlloj si diktatura që kishte të indoktrinuarit dhe automatet e saj, diktatura e krimit dhe mafies, e drogës dhe bandave, ka dhe ajo papagajtë e vet, ka dhe ajo lakejtë e vet, ka dhe ajo kriptoavoketërit e vet, të cilët nga mëngjesi në darkë mashtrojnë, mashtrojnë dhe vetëm mashtrojnë qytetarët.

Të cilët u servirin për sukses, suksese imagjinare dhe mbulojnë me to dështimet dramatike. Mbulojnë me to asgjësimin e votës së lirë.

Mbulojnë me to zbrazjen e tmerrshme të Shqipërisë si kurrë ndonjëherë në histori.

Mbulojnë me to varfërimin e frikshëm të shqiptarëve.

Ju qëndroni, nuk dorëzoheni, ju qëndroni të pamposhtur sepse nuk mund të pranoni një Shqipëri e cila sot është vendi i vetëm në Europë, tejkalon Rusinë e Putinit, tejkalon Bjellorusinë e Llukashenkos, me tre drejtuesit kryesorë të opozitës të arrestuar ose në procese politike.

Kjo ndodh vetëm në Shqipëri dhe në asnjë vend tjetër.

Por kjo çfarë është?

Këto janë akte madhore, kazëm në themel të kushtetutës, vetëm e vetëm për ti caktuar opozitës kryetarin që do Edi Rama.

Vetëm e vetëm që opozita të ketë një kukull peqe lepe dhe sovraniteti i këtij vendit të shkelmohet nga mafia ndërkombëtare dhe mafia shqiptare.

Miqtë e mi!

Persekutimi politik në një vend është dëshmia më flagrante e instalimit të diktaturës në atë vend.

Himara është një nga aktet, shembujt më flagrant të regjimit të diktaturës së bandave të vendosur në Shqipëri.

Pasi përdoren të gjithë boritë e neveritshme të propagandës së tyre kundër Belerit, pasi e cilësuan terrorist, armik etj., pasi Edi Rama antishqiptari ndër më të mëdhejtë e kohërave u shpall patriot, Beleri fitoi, qytetarët e Himarës e votuan.

E votuan, kurse dora e zezë e arrestoi atë pas mesnate për ti grabitur mandatin që i dhanë qytetarët e Himarës. Atyre të cilëve për atdhetarizëm, për nacionalizëm si strofulla e fundit e horrave, sulmonin Belerin, të arrestuar politik, të burgosur politik i pyes, papagajtë e Edi Ramës, lakejtë; na thoni pak, i kujt ishte pushteti në këtë vend?

Nëse Beleri kishte kryer krime, Shqipëria ka jo një, por pesë ligje që nuk e lejojnë atë të kandidojë në çdo garë.

Shqipëria ka 10-15 burgje në të cilat ai mund të dergjej për krimet e tij. Apo nuk është kështu.

Lakej mjeranë. U hedh nga një kockë Edi Rama dhe shkelmoni çdo parim themelor të një shoqërie të lirë, të një vendi të lirë.

Sipas jush qenka më pak armik Vangjel Tavo.

Vangjel Tavo, nëse Beleri ndjehet grek dhe shpreh krenari me qenien e tij greke dhe kjo është normale për njerëz të lirë kudo në botë, Tavo nuk është as grek, as vllah, as sllav, as shqiptar, është mafioz si Edi Rama.

Ju mjeranë që vishni qyrkun e nacionalistit, ndërkohë që jeni në thelb kundër lirisë së shqiptarëve, ju pyes unë ju; në një vend të lirë a nuk ka të drejtë të zgjidhet çdo qytetar, çdo shtetas i tij në përputhje me ligjin, pavarësisht nga etnia, besimi, përkatësia partiake në çdo post të këtij vendi.

Kjo është atëherë kur kushtetuta dhe rendi respektohen. Kurse ju, nuk keni kushtetutë, ligj, vlera. Ju jeni mjeranë lakej, papagaj të Edi Ramës, të regjimit më të shpërfytyruar të diktaturës më shëmtuar.

Mbushni hapësirën mediatike me trillime dhe mashtrime të turpshme, kriminale.

Bëheni krah i mafias që po shfaros shqiptarët në mënyrë paqësore.

Miqtë e mi!

Protesta juaj është epike sepse ju jeni i vetmi zë i të drejtës në Shqipëri.

Në këtë vend drejtësia mungon, është kryekëput në dorën e mafias.

Në këtë vend qytetari i thjeshtë duhet të presë 14 vite për një vendi, dhe partnerët na thonë; ne mbështesim drejtësinë e re.

Zotërinj ju mbështesni atëherë një Shqipëri pa drejtësi dhe kjo nuk është e ndershme. Pranoni gabimin që bëtë.

Nuk ka qytetar në botë që të presë 14 vite për një vendim. Sepse e bëri mafia, mafia e Xhorxh Sorosit për të çelnikosur pushtetin e Edi Ramës.

Ja ku i ke zamanët.

Ja ku janë zamanët, këta mercenar pa ligj, pa nder pa moral, të cilët bëjnë gjithçka për të forcuar pushtetin e Edi Ramës.

Ja ku është para jush dhe gjithë botës, vendimet e Gjykatës Kushtetuese hidhen në kosh të plehrave, kur narkodiktatorit nuk i shkojnë për shtat.

Cila drejtësi na thoni pak, të nderuar miq, partnerë. A nuk është kjo tallje cinike me shqiptarët.

Mos na thoni më, mos na thoni më.

Mos mendoni se shqiptarët hanë bar, mos mendoni se janë budallenj.

Jo more jo. Cilido që ka studiuar shëmbëlltyrën e tyre psikologjike deri sot, i nxjerr ata të kundërtën e asaj që mund të mendoni ju.

Prandaj, çështja e drejtësisë është një çështje themelore për një shoqëri.

Një shtet pa drejtësi, është shtet i vullnetit të një njeriu.

Një shtet pa drejtësi, është i vetëgjyqësisë.

Një shtet pa drejtësi, është shtet pa liri.

Ndaj dhe shpreh dhe njëherë mirënjohje të pakufishme për qëndresën tuaj dhe rikujtoj sot çdo shqiptar se e vërteta duhet të mbrohet me çdo çmim dhe me zë të lartë.

Dhe se heshtja të zhyt çdo ditë e më shumë në terrin e gënjeshtrës, në terrin dhe errësirën e mashtrimit.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Login to post comments