Protesta e banorëve të Thumanës për të patur dalje në autostradën e re Thumanë-Kashar ka hasur sërish në rezistencën e policisë, teksa kjo e fundit përpiqet të shuajë zërat dhe të ndalojë qytetarët, që të mos reagojnë ndaj padrejtësive që u janë bërë, duke mos u lënë mundësi aksesimi në këtë aks të ri rrugor.
Qytetarët protestues shprehin pakënaqësitë e tyre ndaj punonjësve të Policisë, që sipas tyre me urdhër të qeverisë kërkojnë t’i ndalojnë që të mos kërkojnë të drejtat e tyre.
‘Ne të bëjmë punën tonë, këta të vetët, s’kemi përse të konfliktohemi. Le të hapin rrugën, ne pagesën e bëjmë. Pse duhet të humbas një orë kohë për të shkuar në shtëpi. S’kam ndërmend të zihem me këta që na kanë sjellë. Mund ta paguaj traun, e kam bërë dhe në Spanjë e kudo. Unë e kam biletën për Angli, por kam vëllain, motrën, njerëzit e mi. Lë t’i japin zgjidhje, unë s’kam ndërmend të përplasem me Policinë’, u shpreh qytetari.
Ata kërkojnë që të kenë mundësi aksesi në autostradën e re, ndërsa si duket Ministria e Brendshme e ka blinduar atë duke sjellë përballë protestuesve FNSH, RENEA-n dhe Shqiponjat, për t’u shkaktuar atyre frikë, por kjo nuk i ndal ata që të kërkojnë drejtësi.
Përballë qytetarëve të paarmatosur, punonjësit e policisë janë pajisur deri në ‘dhëmbë’ kundër protestuesve paqësore, sikur këta të fundit të jenë armiqtë e popullit.