Është liruar nga burgu në Emiratet e Bashkuara Arabe, “i forti” i Niklës, Durim Bami, një prej personazheve më të njiohur të botës së krimit në vendin tonë.
Ai ka qëndruar për rreth dy muaj në burg, pasi u arrestua nga autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe në muajin Qershor, për shkak se ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare.
Pas arrestimit, gjykata në Dubai i caktoi masën e “arrestit me burg” me afat për 60 ditë dhe tashmë ai është liruar, pasi e njëjta gjykatë ka vendosur të mos japë aprovimin për ekstradimin e tij drejt vendit tonë.
Urdhër-arresti për 45-vjeçarin Durim Bami u lëshua nga SPAK në kuadër të operacionit të koduar “Revanshi” më 15 Maj të këtij, i cili ishte pjesë e listës prej 50 personash të akuzuar për krime të rënda, të cilat u zbuluan pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin e enkriptuar “Sky Ecc”.
Durim Bami kishte shkuar në Dubai, bashkë me të vëllain Valter Bamin para operacionit të SPAK. Mbi 45-vjeçarin rëndojnë akuzat për kryerjen e veprave penale: “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.
Më konkretisht Durim Bami akuzohet se bashkë me Endrit Doklen, Marklen Hakën dhe Xhelal Rrajën, do të vrisnin ish-deputetin Arben Ndokan. Detyra e tij do të ishte sigurimi i informacioneve për lokalizimin e ish-deputetit dhe të njoftonte të tjerët. Ndërkohë, për vrasjen e Tori Xheçukës dhe Erigers Mihasit, 45-vjeçari ka pasur rol kryesor të organizatorit.
Gjithashtu, bashkë me ish-policin Altin Morina ai akuzohet për kultivim narkotikësh në zonën e Krujës.
Arrestimi i Durim Bamit në Dubai u propagandua me të madhe nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, ku pretendonin se shumë shpejt do ta ekstradonin apo deportonin drejt vendit tonë, por tashmë, ky është vetëm një dështim i radhës.
Autoritetet shqiptare deri më sot nuk kanë arritur të ekstradojnë asnjë person nga Emiratet e Bashkuara Arabe, teksa vlen për t’u përmendur se në Dubai qëndrojnë të qetë shumë personazhe të njohur të botës së krimit në vendin tonë.
I vetmi person i cili është deportuar nga Dubai ka qenë Bruno Çobo, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që përfitoi 4.7 milion euro nëpërmjet skemave të mashtrimit në Call Center. Por, sërish, deportimi i tij u krye vetëm pas dëshirës së tij.