Lideri demokrat, Sali Berisha përmes një statusi në rrjetet sociale ngre alarmin për rritjen e fenomenit të vetëvrasjes në Shqipëri. Tirana, sipas Berishës mbetet kryeqyteti me numrin më të madh të vetëvrasjeve në Europë.
Sipas Berishës, mosha mesatare e të rinjve që detyrohen të shkojnë drejt aktit të fundit, vetëvrasjes, është mes 22 dhe 28 vjeç.
Berisha ngre shqetësimin për mungesën e ndjeshmërisë së autoriteteve ndaj problematikave të tilla, që i shtyjnë të rinjtë që t’i japin fund jetës.
Postimi:
Tirana kryeqyteti i vetëvrasjeve në Europë!
Kryqytet i dëshpërimit, zhgënjimit, mjerimit.
Shtatë vetëvrasje në 48 orët e fundit në Shqipëri nga të cilat 5 në Tiranë. Varje në litar, mbytje në Liqenin Artificial, hedhje nga katet e larta të ndërtesave janë mënyrat e zgjedhura nga këta qytetarë për t’i dhënë fund jetës së tyre midis tyre edhe 22 dhe 28 vjeçar të dëshpëruar, të zhgënjyer në ekstrem. Duke shprehur ngushellimet më të ndjera familjeve të këtyre viktimave të pafajshme, dënoj me forcën më të madhe mugesën e ndjeshmërisë së autoriteteve ndaj problematikave të thella që i shtyjnë ata t’i japin fund jetës së tyre.