Skandali i Veliajt me 2.7 mln euro për makinat me qira/ Berisha: Ju garantoj se përveç të zgjedhurve, s’do ketë njeri veturë shtetërore

Tuesday, 20 August 2024 10:58
 

Lideri i së djathtës shqiptare, Sali Berisha teksa e ka cilësuar marrjen me qira të veturave me 2.7 milion euro nga kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, si krimin më të shëmtuar ekonomik në vend, garantoi qytetarët se veç të zgjedhurve, askush tjetër nuk do të pajiset me vetura shtetërore.

Nga qëndresa qytetare në ditën e 231 të saj, Berisha theksoi gjithashtu se vetura që i përdorin për të vjedhur naftë nga mëngjesi në darkë me taksat e shqiptarëve, i përdorin edhe për qëllime personale për udhëtime në Shqipëri dhe rajon, duke shtuar më tej vjedhjen dhe varfërimin e qytetarëve. 

Berisha: Të dashur miq, këtu mbrëmë u denoncua marrja me qira nga Erion Veliaj për 2.7 milionë euro të një seri veturash me një qira më të kushtueshme në tre vite se sa po të bliheshin të reja ato.

Nuk ka krim më të shëmtuar ekonomik se ky, të marrësh me qira 2.7 milionë euro makina me një çmim më të madh se sa t’i blesh ato të reja, do të thotë të vjedhësh të paktën 70 përqind të atyre parave, në një kohë kur ju garantoj ju se përveç të zgjedhurve, nuk do ketë njeri veturë shtetërore.

Asnjë njeri nuk do mund të ketë veturë shtetërore përveç të zgjedhurve, të votuarve nga qytetarët dhe drejtuesit e institucioneve kushtetuese.

Harrojeni o kolltukofagë se do mund të uleni në vetura të paguara nga qytetarët shqiptarë.

Asnjë!

Të dashur miq, në vitin 2009, i hoqëm për të gjithë administratën qendrore, me një vendim qeverie kursyem 46 milionë euro.

Zyrtarët vinin në punë. Për çdo shërbim u paguhej qindarkë për qindarkë nafta ose u paguheshin dietat.

Dhe administrata funksiononte pa asnjë pengesë, por nuk funksiononte si shushunjë.

Të marrësh sot 2.7 milionë euro vetura me qira për hajdutët e bashkisë është krim, është ndëshkim për qytetarët shqiptarë.

Vetura që i përdorin për të vjedhur naftë nga mëngjesi gjer në darkë me taksat e shqiptarëve.

I përdorin për qëllime personale nga mëngjesi gjer në darkë, për udhëtime në Shqipëri dhe rajon, duke shtuar vjedhjen, varfërimin e qytetarëve shqiptarë.

Login to post comments