Kontejnerët me mbetje toksike/ Lubonja: E tmerrshme, ky shtet është i hajdutëve dhe punon për hajdutët

Tuesday, 20 August 2024 20:16
 

Analisti Fatos Lubonja, në një lidhje me Skype në News 24 komentoi eksportimin e 100 kontejnerëve me mbetje toksike nga vendi ynë.

Lubonja tha se ngjarja është e rëndë. Ai tha se të tilla gjëra ndodhin, kur njerëzit nuk e duan sinqerisht atdheun e tyre, por shikojnë se ku mund ta shfrytëzojnë atë. 

 

“Është e tmerrshme, për të mos thënë skandal. Duke u nisur nga rritja e kriminalitetit në Shqipëri, dyshoj që në një vend, ku njerëzit pyllin e shohin me syrin e druvarit, sesi ta pres, detin sesi ta betonizoj etj, nuk ka dashuri të vërtetë për atdheun. Kur ndodh kjo, përfshihen dhe institucione. Nuk mund të thuash dot që kumbullat hahen nga disa pa e ditur shteti. Ky shtet është i hajdutëve dhe punon për hajdutët”, u shpreh Lubonja.

 

Duke folur për turizmin në Shqipëri, Lubonja deklaroi se ndjen keqardhje për betonizimin e bregdetit. Sipas tij, çmimet në bregdet janë rritur, edhe për shkak të pastrimit të parave.

“Bregdeti është betonizuar. Çmimet janë rritur në bregdet edhe për shkak të pastrimit të parave. Për shkak të rritjes së çmimeve, shumë shqiptarë e kanë të pamundur të shkojnë me pushime. Edhe natyra shqiptare është shkatërruar. Çmimet e çadrave për një ditë ka raste që kalojnë dhe Italinë. Një e huaj shkruante se nëse vijohet kështu në Shqipëri, edhe mund të ikin turistët, sepse nëse ka betonizim, natyrisht do ketë probleme. Fushata e bërë nga qeveria është disi e fryrë. Turizmi, përpos çmimeve, ka shumë probleme. Të ruajmë pjesën e gjelbërt që na ka mbetur”, tha Lubonja.

Login to post comments