Kompania e Gjovana Sokolajt, e cila ka blerë mbetjet e rrezikshme nga kompania Kurum, ia ka shitur ato një kompanie në Kroaci, e cila rezulton gjithashtu në pronësi të familjes Sokolaj.
Të dhënat e siguruara nga BIRN nga dosja hetimore tregojnë që marrësi i këtyre ngarkesave është kompania GS Minerals D.o.o e regjistruar në Rijeka të Kroacisë, gjithashtu në pronësinë e familjes Sokolaj.
Gjovana Sokolaj dëshmoi në polici se produkti me të cilin janë mbushur 102 kontenierët, që ajo e konsideron si oksid hekuri, është blerë nga kompania “Kurum” për një vlerë totale prej 41 mijë dollarësh. Më pas, Sokolaj ia ka shitur këtë sasi simotrës së saj në Kroaci, GS Minerals D.o.o për 141 mijë dollarë, ndërsa kontejnerët janë nisur nga porti i Durrësit me destinacion fundor Tajlandën më 4 korrik 2024.
Por thuajse një muaj më pas, Sokolaj dëshmon se mori një njoftim shqetësues nga kompania e kontenjerëve.
“…më informon se 102 kontejnerët që kompania ime kishte nisur do të kthehen në portin e Durrësit, sepse porti i Singaporit nuk pranon të bëjë shkarkimin, pasi kanë dyshime se janë mbushur me lëndë toksike,” ka deklaruar Sokolaj.
“Unë i kam kthyer email dhe i kam thënë që për mallin e ngarkuar në kontenjerë, që është oksid hekuri, janë bërë analizat nga Sokolaj sh.p.k dhe Kurum sh.a dhe nuk rezulton që aty të ketë mbetje toksike,” ka pretenduar ajo.
Të dhënat publike të shqyrtuara nga BIRN tregojnë gjithsesi se kompania e Sokolajt në Kroaci, GS Minerals D.o.o reklamon haptasi në internet tregtinë e saj me mbetje të rrezikshme EAFD si dhe okside të zinkut.
Në njërën prej reklamave, kompania thotë se ka të gatshëm në portin e Durrësit koncentrate zinku të gradës së ulët si dhe zotëron për shitje pluhur hiri EAFD.
Përkrah njoftimit për pluhurin që përmban mbetje të rrezikshme, ajo ka postuar një foto të dhjetëra thasëve të mbushur – një pjesë e të cilëve të lagur nga shiu dhe një pjesë të grisur dhe me pluhurin e shpërndarë jashtë tyre, vendndodhja e së cilëve nuk u arrit të verifikohej nga BIRN.
Gjovana Sokolaj nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.