Z. Altin Dumani, Drejtues i SPAK
Lënda: Dërgohet harta e pronësive të tokës tek ish Kroi i Shëngjinit për të parë tokën e përvetësuar në mënyrë korruptive nga Edi Rama dhe Carlo Bolino përmes 4 VKM-ve.
Meqenëse publiku pret nga ju të veproni për praktikat e vjedhjeve nga personat me imunitet përfshi vjedhjes me VKM personale të tokave të caktuara për shkolla;
Meqenëse falë hetimeve 4 vjeçare të SPAK, që ka sekuestruar çdo dokument arkivor dhe kadastral të deri 100 viteve më parë, rezulton se toka tek Kroi i Shëngjinit ka qenë e gjitha në pronësi të familjeve private të Tiranës pa asnjë hapësirë mes tyre, pra nuk ka pasur asnjë cm2 tokë shtet;
Meqenëse sipas hetimeve të SPAK dalin planet e Italianëve për zgjerimin e 3-të dhe të 4-rt të fushës së aeroplanave, si edhe ndarja e tokave mes familjeve pronare private (nuk ka asnjë cm2 tokë publike).
Për zgjerimin e 3-të Italianët llogaritën 28,200 m2 nga familja Begeja dhe për zgjerimin e katërt (në perëndim të rrugës Ndre Mjeda sot) llogariten edhe 3,847 m2 tokë të familjes Begeja (fashikujt e masës Vol.3 fq.1198-1204 dhe Vol.3 faqe 1304-1310);
Meqenëse Fletorja Zyrtare nr.62 e dates 15 Maj 1942 dhe Fletorja Zyrtare nr.73 e datës 30 Qershor 1943 dëshmojnë se parcelat për zgjerimin e 2 dhe të 3 u rekuizuan për 6 muaj por nuk u shpronësuan, pra, mbetën private deri pas clirimit;
Meqenëse në perëndim të rrugës “Ndre Mjeda” u caktua ndërtimi i një shkolle të mesme në Planin e Përgjithshëm Rregullues të Tiranës miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak Nr. 57 datë 24.12.2012 dhe familjet pronare me bujari vendosën ta linin tokën për të mirën e komunitetit, praktikë që më parë njihej si “vakëf”;
Meqenëse për përvetësimin e tokës dhe ndërtesës (parashikuara për shkollë të mesme) nga Edi Rama për mikun e tij Carlo Bolino, përmes nxjerrjes së 4 VKM-ve të personalizuara (VKM nr. 642 datë 2.10.2019; VKM nr. 157 datë 19.2.2020; VKM nr. 368 datë 6.5.2020 dhe VKM nr. 589 datë 22.7.2020) Partia Demokratika ka depozituar kallzim penal;
Meqenëse ligjet dhe VKM-të e personalizuara ngrenë dyshime për korrupsion thelbësor dhe minim të demokracisë;
Në mënyrë që të mos harxhoni 4 vite hetime për të gjetur se ku ndodhet kjo tokë që ishte lënë për shkollë të mesme, po ju ndihmoj duke ju paraqitur hartën e pronave të familjeve pronare, ku janë shënuar edhe vendimet e Komisioneve Vendore të Kthimit të Pronave qysh në 1995 deri 2006, dhe të Agjensisë së Kthimit të Pronave të vitit 2007.
Familja Begeja ka edhe tokën prej 3,847 m2 (të matur nga autoritetet italiane dhe identifikuar si pjesë që do nevojitej për zgjerimin e katërt – shih Vol.3 fq.1198-1204).
Kjo pjesë përfshin edhe një sipërfaqe prej afro 1500 m2 tokë që ishte e planifikuar për shkollë të mesme e për pasojë Begejat e lanë “vakëf”.
Meqenëse kjo tokë nuk u përdor për qëllimin fisnik të ndërtimit të një shkolle dhe biznesi i Bolinos, për të cilin mediat kanë raportuar se merr para publike qoftë nga e-Albania e qoftë nga inceneratorët, nuk përmbush kushtet për t’u quajtur “vakëf”, atëherë prona duhet t’i kthehet pronarëve të ligjshëm.
Këtë gjë e detyron Ligji nr.9235 datë 29.7.2004 “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës”, Neni 7 i të cilit “Pronat që nuk kthehen” tek pika 2 thotë “Në rast se pronat e paluajtshme, që përfshihen në pikën 1 të këtij neni, propozohen të tjetërsohen, ato i kalojnë subjekteve të shpronësuara”
Meqënëse ju dhe struktura juaj e komanduar politikisht e konsideroni të dyshimtë nëse ne e zhvillojmë vetë si pronarë të tokës, a mos doni të na sugjeroni se me kë të lidhemi për të zhvilluar pronën tone?
Mund të jetë oligark që i çon thasët Edi Ramës, ose bandit nga ata që shpall Edi Rama si “investitor strategjik”?
Apo edhe prokuror i SPAK që merr leje ndërtimi për shërbimet ndaj Edi Ramës?!
Kjo pasi Edi Rama me ndryshimet që ka nxjerrë kohët e fundit “Për disa shtesa dhe ndryshime në VKM nr. 408 datë 13.05.2015 për Miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit të ndryshuar” ka marrë vetë në dorë të gjitha lejet e ndërtimit ndonëse kjo bie në dhunim të Vendimit nr. 29, datë 21.12.2006 të Gjykatës Kushtetuese që ia kaloi planifikimin dhe kontrollin e territorit si tagër pushtetit vendor.
Për të gjitha sa më lart çdo prokurori e pakapur nga politika, paratë e pista apo krimi, do të niste hetimet për 4 VKM-të e personalizuara, do hetonte praktikën sesi dhe kush vendosi të heqë shkollën për komunitetin, do sekuestronte tokën e caktuar për shkollë dhe nëse Bashkia nuk donte shkollën, në përputhje me Ligjin nr.9235 datë 29.7.2004 “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës”, Neni 7, duhet t’ua kthejë pronarëve të ligjshëm të tokës.
Duke ju uruar punë të mbarë,
Prof. Dr. Jamarbër Malltezi