Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha tha gjatë fjalës së tij të mbajtur në protestën maratonë te ‘Rruga e Shpresës’ tha se, synimi i vetëm i opozitës është rrëzimi i Ramës dhe fitorja mbi narkoshtetin dhe të bashkohen me të gjithë ata që pranojnë këtë objektiv.
Berisha tha se shqiptarët duhet të ndjejnë forcën e PD, një partie që sipas tij, pasi përmbysi diktaturën, u shndërrua në lokomotivën e madhe të integrimit të Shqipërisë në NATO, në Këshillin e Evropës dhe në BE.
Sipas Berishës, shqiptarët do të jenë në shesh, pasi situata në të cilën ndodhet vendi është aty ku nuk mban më.
Kryedemokrati, Sali Berisha ka paralajmëruar se 9 muajt e ardhshëm, do të jenë muajt e protestave dhe mosbindjes civile, të cilat sipas tij do të çojnë në fitoren e PD dhe shqptarëve.
Sipas Berishës, është detyrë e demokratëve të ndezin protestën, mosbindjen e qëndrueshme civile duke i folur ndërgjegjes dhe zemërimit të çdo qytetari.
Një ftesë Berisha pati edhe për bizneset, që sipas tij duhet të protestojnë kundër monopoleve dhe kundër gjobëvënësve.
Lideri i opozitës, Sali Berisha ka theksuar se detyra kryesore e demokratëve në këto 9 muaj deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare është të riaktivizojnë të gjithë fuqinë për protesta të pandalshme.
‘Detyra jonë kryesore në këto 9 muaj është të riaktivizojmë të gjithë fuqinë e papërmbajtshme të PD’, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij në protestën maratonë te ‘Rruga e Shpresës’.
Berisha ka theksuar se qeveria teknike është hapi i fundit nga fitorja e opozitës.
‘Qeveria teknike, hapi i fundit nga fitorja jonë! Prandaj tani e tutje vetëm sulm, sulm dhe vetëm sulm’, u shpreh Berisha në tubimin qytetar në mbështetje të tij që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.
FJALA E PLOTË
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta qëndrestare dhe qëndrestarë, misionarë të kauzës së drejtë të qytetarëve shqiptarë.
Përshëndetje të përzemërta oratorëve fjalëartë të kësaj platforme që përcjellin të vërtetat e mëdha çdo natë të shqiptarët.
Të dashur miq, u bënë vite, tre vite që ne demokratët dhe demokratet kemi luftuar në mbrojtje.
Por, kemi bërë në mbrojtje një luftë, e cila do regjistrohet në memorien e kohës si mbrojtja më e suksesshme e demokracisë, e lirisë, e dinjitetit dhe interesit kombëtar të shqiptarëve.
Por, beteja në mbrojtje miqtë e mi shpesh të bën të harrosh fuqinë e madhe që ke.
Sulmi dhe vetëm sulmi është mundësia për të shpalosur të gjithë fuqinë tënde.
Ne demokratët nuk duhet të harrojmë se PD ka lindur nga guximi i atyre që i nxorën kraharorin diktaturës më të egër staliniste në Europë.
Kemi harruar se rrënjët e PD gjenden në ato qindra e mijëra familje shqiptare që dinjitetin, lirinë e kanë kryesoren.
Që janë të gatshëm të sakrifikojnë gjithmonë për liri, dinjitet dhe demokraci.
Që nuk refuzojnë kurrë betejën kur ajo bëhet për dinjitet, për familjen dhe kombin e tyre,.
Kemi harruar dhe nuk duhet të harrojmë kurrë se këta guximtarë në familjet e tyre kanë rritur fëmijë me po ato ideale që shembën diktaturën e Enver Hoxhës.
Prandaj detyra jonë kryesore në këto 9 muaj është të rikthejmë, riaktivizojmë të gjithë fuqinë e papërmbajtshme të PD dhe të dridhim nga themelet narkoshtetin e Edi Ramës dhe të ecim të sigurt drejt qeverisë teknike.
Të protestosh sot është detyrë morale e çdo shqiptari, jo për Sali Berishën, jo për PD-në, jo për opozitën, por për votën e lirë, për dinjitetin e shqiptarëve, për familjen, për demokracinë, për vendin, për kombin.
Unë nuk besoj se kurrë shqiptarët kanë hequr dorë nga vota e lirë, nga dinjiteti i tyre, nga familja, nga demokracia apo nga kombi.
Të vetmit që i kanë braktisur këto themele të shoqërisë së lirë në Shqipëri janë Edi Rama dhe aleanca e tij e qelbësirave.
Prandaj ne luftojmë kundër tyre dhe do fitojmë.
Të dashur miq, ju që protestuat çdo natë nga 31 dhjetori gjer sot, mbajtët gjallë shpirtin e protestës, shpirtin e qëndresës.
Dhe sot ka shumë e shumë shqiptarë që shtypur dhe poshtëruar që do ngrihen në protestë për kauzën e drejtë.
Fermerët do ngrihen në protestë për prodhimet e tyre, për djersën e tyre që derdhet kot.
Prindërit do ngrihen në protestë për vaktin që kursejnë për ushqimin e fëmijëve të tyre.
Studentët do ngrihen në protestë sepse edhe në rast se kanë shansin të ndjekin shkollën e lartë, u duhen jo më një shekull, por 120 vite për të blerë një shtëpi në qytetin e ëndrrave të tyre, në Tiranë.
Bizneset do ngrihen në protestën e tyre kundër monopoleve, kundër gjobëvënësve.
Është detyrë e demokratëve të ndezin protestën, mosbindjen e qëndrueshme civile duke i folur ndërgjegjes, zemërimit të çdo qytetari.
Zemërimit evropian të qytetarëve shqiptarë.
Dhe ne nuk kemi asgjë më pak se ata që ngrihen ndaj çdo padrejtësie, ndaj çdo korrupsioni, ndaj çdo rritje absurde të çmimeve.
Jo, nuk vazhdohet më kështu.
Mjaft më.
Do u kthejmë dinjitetin shqiptarëve.
Shqiptarët duhet t’i shohin në sy fëmijët e tyre dhe të mos ndjejnë turp që po heshtin para të keqes.
Të mos ndjejnë nga frika që kanë nga kriminielët. Të mos ndjejnë turp që nuk po veprojnë ndaj padrejtësive.
Këta 9 muaj duhet të jenë muaj protestash, mosbindje civile gjer në fitore.
Shqiptarët janë të frikësuar. U duhet siguri. Vriteni frikën dhe nxirreni çdo grupim të shtypur në protesta të qëndrueshme.
Edi Rama nuk përballon dot kurrë një popull të tërë në këmbë.
Shqipëria në këmbë, ky do jetë motivi ynë.
Vendosni të parën kauzën që do ndiqni.
Filloni protestën dhe hidhuni në sulm kundër narkoshtetit.
Të shohin shqiptarët forcën e PD, forcën e partis që pasi përmbysi diktaturën, u shndërrua në lokomotivën e madhe dhe të vërtetë integrimit të Shqipërisë në NATO, në Këshillin e Europës, në BE.
Të sigurt të jeni ju se sapo të ndizet protesta dhe shqiptarët të ngrihen, luani do zgjohet.
Të gjithë shqiptarët do i kemi në shesh se situata është aty ku nuk mban më miqtë e mi.
Shqiptarët kanë gëlltitur këto 11 vite, gjëra të pagëlltitshme.
Shqiptarët janë gati për revoltë.
Të dashur demokratë, kemi 600 mijë votues që na kanë mbështetur në ditët më të zeza, në ditët më të vështira të historisë së demokracisë.
Pas 9 muajsh janë zgjedhjet.
Opozita nuk ka luksin të ketë pretendime se nuk bashkohem me këtë apo atë.
Ajo ka vetëm një objektiv: rrëzimin e Edi Ramës, fitoren mbi narkoshtetin dhe bashkohet me të gjithë ata që bashkohen në këtë objektiv.
Prandaj miq, mos harroni se kush jeni.
Jeni PD, forca më e madhe demokratike opozitare e vendit.
Në këtë betejë mbetet vetëm një hap i fundit nga fitorja jonë, qeveria teknike.
Sepse në zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk shkohet me Lukashenkon e Ballkanit.
Me Maduron e Europës.
Prandaj dhe njëherë, nga sot e tutje: sulm, sulm dhe vetëm sulm.
Qeveri teknike.
Fitore!
T’i tregojmë narkoshtetit forcën e vërtetë të vlerave të demokracisë që mbron PD.
Të sjellim qeverinë teknike dhe pastaj të matemi në zgjedhje të lira, të ndershme se me kë janë shqiptarët.
Me krimin, drogën dhe dhunën apo me dinjitetin, lirin, familjen, demokracinë dhe kombit.
Miqtë e mi, edhe njëherë rikujtoj se në të gjitha diktaturat, në polle diktatori del më i pëlqyeri.
Kjo ndodh edhe sot me Edi Ramën, por u garantoj se nesër në një betejë elektorale të barabartë dhe të ndershme do marrë edhe më pak se ç’mori partia e tij në vitin 1992.
Rrofshi ju, rroftë PD.
Rroftë familja.
Rroftë demokracia.
Rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!