Gazetari holandez, Vincent van Gervein Oei që ka denoncuar inceneratorët, aferat e dyshimta të Bashkisë së Tiranës nëpërmjet artit në Shqipëri dhe ka ngritur dyshime mbi financimin e “Harabeli”-t të Ajola Xoxës është kërcënuar nga Driant Zeneli, drejtori i “Harabeli”-t.
Për kërcënimin ka bërë një reagim ambasadori holandez në Tiranë, Reinout Vos, i cili ka mbrojtur publikisht gazetarn.
Megjithatë, ky lajm është raportuar nga shumë pak media në Shqipëri. Mediat e Veliajt kanë mbyllur sytë përpara një ngjarjeje të tillë dhe nuk e kanë publikuar kërcënimin në Shqipëri të gazetarit holandez.
Për heshtjen e mediave ka bërë një reagim edhe pedagogu dhe aktivisti, Ervin Goci. Ai deklaron se mediat nuk kanë raportuar për kërcënimin e Vincent Van Gerven Oei nga drejtori i “Harabeli”-t.
“Në thuajse në asnjë media, përjashto CNA.al, nuk është publikuar lajmi për disa mesazhe intimiduese dhe kërcënuese ndaj kritikut, filozofit Vincent Van Gerven Oei, nga një i ashtuquajtur artist me lidhje të forta me gruan e kryebashkiakut të Tiranës, nëpërmjet një platforme që e ka kafshuar të gjithë hapësirën e krijimtarisë në Shqipëri që quhet "Harabel".
Unë nuk i di të gjitha dhe nuk përjashtoj çështje personale, por nga ajo që kam lexuar nga mesazhet shoh që Vincent-i është kërcënuar për shkak të gjërave që thotë dhe jo për shkak të ndonjë sjelljeje.
Meqë ra fjala për mua është nga mendjet "par-exellence" që e lexoj me ëndje dhe që i ka bërë një zbërthim të pakrahasueshëm të gjithë kapjes së skenës kulturore në Shqipëri, me pasojë skëterrën e varfërisë kulturore, me artista që janë të gjithë të marrë peng dhe duhet të ulin kokën ndaj kapjes së skenës kulturore prej pushtetit.
Meqënëse e kam vlerësuar gjithmonë si autor dhe si aktivist, gjej mundësinë t'i shpreh mbështetje dhe solidaritet në këtë kohë jo të lehtë për të e të gjithë ne, dhe t'i them që fjala jote është kontribut i çmuar për hapësirën publike shqiptare”, shkruan Ervin Goci.