Berisha përkujton Kryengritjen e Postribës: Nderimi më i madh ndaj tyre është përmbysja e narkoshtetit të Ramës

Hënë, 09 September 2024 12:35
 

Kryetari i opozitës, Sali Berisha, përkujtoi sot 78-vjetorin e Kryengritjes së Postribës.

Me rastin e përkujtimit të kryengritjes së parë antikomuniste, Berisha tha se “qëllimi i kryengritëseve ishte çlirimi i Shkodrës, kryeqendrës së veriut të Shqipërisë nga pushtimi i egër terrori mizor që Hitleri shqiptar i pas luftës, Enver Hoxha po ushtronte në qytetin dhe qarkun e Shkodrës”. 

“Nderimi më i madh për sakrificën e tyre sublime e të pavdekshme është përmbysja sa më parë e narko-shtetit dhe diktaturës të bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen të Edi Ramës dhe bastardëve të tjerë të etërve barbarë që ushtruan genocid ndaj Postribës, Shkodrës dhe Kombit Shqiptar,” shkruan Berisha.

POSTIMI I PLOTË

Sot 78-vjetori i Kryengritjes së Postribës!

Të dashur miq, sot Shkodra dhe mbarë kombi shqiptar nderon 78- vjetorin e kryengritjes së parë antikomuniste në Shqipëri dhe në Europë kryengritjes së Postribës.

Si sot 78 vite më parë natën e 9 shtatorit të vitit 1946, antikomunistët trima e guximtarë të Postribës të organizuar dhe udhëhequr nga tribuni i lirisë, Osman Haxhia, u ngritën me kurajo epike në kryengritjen e parë dhe më të fuqishme antikomuniste të kohës sulmuan forcat pushtuese komuniste. Qëllimi i kryengritëseve ishte çlirimi i Shkodrës, kryeqendrës së veriut të Shqipërisë nga pushtimi i egër terrori mizor që Hitleri shqiptar i pas luftës, Enver Hoxha po ushtronte në qytetin dhe qarkun e Shkodrës me hordhitë kriminale terroriste të drejtuara nga vrasësi serial Mehmet Shehu.

Në betejën e tyre për liri dhe dinjitet njerëzor kundër pushtimit të egër primitiv të etërve xhelat të pushtetarëve të sotëm ranë për t’u bërë të pavdekshëm në përleshjet me forcat terroriste, komuniste ose u ekzekutuan pa gjyqe apo u burgosën nga këto hordhi qindra luftëtarë lirie.

Duke u përulur sot me mirënjohjen më të thellë para veprës së ndritur dhe martirizimit të kryengritësve të Postribës, shpreh bindjen më të thellë se nderimi më i madh për sakrificën e tyre sublime e të pavdekshme është përmbysja sa më parë e narko-shtetit dhe diktaturës të bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen të Edi Ramës dhe bastardëve të tjerë të etërve barbarë që ushtruan genocid ndaj Postribës, Shkodrës dhe Kombit Shqiptar.

Nderim përjetë martirëve të kryengritjes së Postribës!

Login to post comments