Berisha uron vitin e ri shkollor: Ju ftoj të ngrihemi në protesta kundër situatës dramatike në arsim

Hënë, 09 September 2024 12:36
 

Kryetari i opozitës, Sali Berisha, uroi fëmijët, mësuesit dhe prindërit me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor.

Por Berisha tha se situata në arsim është dramatike. Ndaj ai bëri thirrje për protesta të fuqishme. 

POSTIMI I PLOTË

Sot nis viti i ri shkollor.

Së pari urimin më të përzemërt për të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit në këtë ditë të veçantë për ata dhe mbarë kombin. Veças një urim nga zemra vogëlusheve dhe vogëlushëve që ulen sot për herë të parë ne bankat e shkollës. Një vit plot shëndet dhe të suksesshëm për të gjithë.

Por të dashur miq, viti i ri shkollor 2024- 2025 e gjen Shqipërinë të zbrazur si asnjëherë më parë.

Numri i nxënësve këtë vit që ulet në bankat e shkollës nga 610 mijë që ishte 11 vite më parë është 350 mijë. Zvogëlimi dramatik i numrit të nxënësve bëhet çdo vit e më i madh. Këtë vit në Qarkun e Korçës nga 1698 nxënës të regjistruar një vit më parë, këtë vit do të ulen në bankat e shkollës për klasën e parë 1302 nxënës. Pra, 396 nxënës më pak, ndërsa në klasën e dhjetë nga 1779 vitin e kaluar, këtë vit u regjistruan 1277, pra 502 nxënës më pak.

Ky vit nis pasi mbi 730 shkolla të të gjitha niveleve janë mbyllur në të gjithë vendin gjatë viteve të rilindjes dhe  90% e shkollave të vendit janë pa ngrohje dhe ujë të rrjedhshëm ndërkohë që fondet vidhen dhe ndërtohen shkolla me 5-7 milionë euro d.m.th 7-8 herë më të larta se në Europë. Viti shkollor nis në kushte ku mbi 120 mijë nxënës do të mësojnë me turne, dhe mbi 50 000 nxënës që do të mësojnë në klasa kolektive.

Ky vit nis pas rënies në pikiatë prej 62 pikësh, më të madhe në botë në testin e PISA-s të cilësisë së arsimit vlerësuar 9 vitet e qeverisjes së Edi Ramës.

Ky vit nis në kohë kur mësuesit shqiptarë janë më të keqpaguarit dhe më të keqtrajtuarit e rajonit.

Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe gjendjen e rëndë në të cilën fillon punën këtë vit sistemi arsimor në Shqipëri, Partia Demokratike fton nxënësit, prindërit e tyre dhe mësuesit të ngrihem në protesta të fuqishme kundër regjimit që po shkatërron sistemin arsimor dhe po zbraz me shpejtësi Shqipërinë.

Login to post comments