Berisha: Kjo qeveri e rrënoi arsimin! Numri i nxënësve është përgjysmuar, 750 shkolla janë mbyllur

Hënë, 09 September 2024 21:53
 

Lideri i opozitës, Sali Berisha akuzoi Edi Ramën se rrënoi arsimin në Shqipëri gjatë 11 vite qeverisje.

‘Kjo qeveri e rrënoi arsimin! Numri i nxënësve është përgjysmuar, 750 shkolla janë mbyllur në mbarë vendin’, theksoi Berisha gjatë tubimit në mbështetje të tij në ‘Rrugën e Shpresës’. 

Berisha: Të dashur miq, sot 350 mijë nxënës filluan mësimin në ditën e parë të shkollës në ciklon parauniversitar. 

Le t’u urojmë ne atyre një vit të mbarë dhe suksese.

Por le t’u urojmë mësuesve, prindërve, mbarësi dhe shëndet, suksese në këtë vit.

Por ftoj çdo shqiptare dhe shqiptar të mos harrojë se sot u ulën në bankat e shkollës 350 mijë nxënës, ndërkohë që në vitin 2013, në këto banka u ulën 630 mijë nxënës.

Pra në tetë vite të Rilindjes, kësaj mortaje krimi, numri i nxënësve në shkollat tona, u përgjysmua.

Kjo rënie e frikshme ka sjellë mbylljen të rreth 750 shkollave në mbarë vendin.

Kjo rënie e frikshme ka sjellë pothuajse mbetjen pa fëmijë, pa nxënës të shumë e shumë zonave të vendit.

Kjo rënie vazhdon me ritme të paimagjinueshme.

Të dashur miq, në shkollat e Korçës, në klasë të 10-të këtë vit u regjistruan 500 nxënës më pak apo një e treta më pak se sa një vit më parë.

Këtë vit, shkollat nisën punën në një kohë kur vitin e kaluar në testin e cilësisë në PISA ato patën një rënie pikiate prej 62 pikësh.

Mendimi krijues i nxënësve tanë u vlerësua më i dobëti në planet.

Mësuesit vazhdojnë të jenë mësuesit më të papaguar në Europë dhe në Ballkan.

Rroga e rritur këto kohë e tyre është aq e vonshme saqë i la ata përsëri në mësuesit me rrogat më të ulëta në Ballkan dhe Europë.

Kjo qeveri e rrënoi arsimin!

E shndërroi atë në institucionin e partisë dhe patronazhistëve.

E shndërroi atë, infrastrukturën e tij, në një infrastrukturë në të cilën krerët e qeverive vendore të partisë së krimit vjedhin nga 70 deri në 90 përqind të fondeve të dedikuara për ndërtimin dhe rindërtimin e shkollave.

Login to post comments