Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë deklaratës së tij për mediat është shprehur se, ndaj tij është ngritur një akuzë politike, pa asnjë fakt apo provë.
Sipas kryedemokratit, Edi Rama është duke bërë gjithçka që ti zgjasë jetën regjimit të tij.
Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:
Sot unë po shkoj të marr akuzën politike dhe të njihem me materialet që kanë manipuluar ose fshehur në kundërshtim me ligjin për të justifikuar aktin e tyre kriminal akuzën pa asnjë provë, fakt apo dokument, por vetëm të diktuar nga Edi Rama.
Në katër raportimet dymujore të SPAK në gjykatë nuk ka dalë asnjë prove dhe nuk është përmendur asnëjherë si emër Sali Berisha, ndërkohë që drejtësia politike e ka mbajtur 9 muaj në arrest.
Në këto raportime, që përbëjnë akte zyrtare, kanë dalë manipulime flagrante nga prokurorët politikë Dumani, Kraja dhe Millonai.
Ky vendim pa asnjë baze ligjore ndaj Sali Berishës në vitin elektoral, përfshirë dhe izolimin dhe pamundësimin e aktivitetit si deputet dhe lider opozite prej gati 1 viti, është dëshmi se Edi Rama është i gatshëm të bëjë gjithçka për t’i zgjatur jetën regjimit te tij, duke shndërruar krimin politik në votë dhe votën në krim.
Ky vendim është gjithashtu një dëshmi e qëndrimeve të Edi Ramës për një Shqipëri pa opozitë, njëlloj si i ati i tij, Kristaq Rama – ish/zëvendësi i Nexhmije Hoxhës – që në gusht të vitit 1988 firmosi varjen publike në litar të kundërshtarit politik, poetit disident Havzi Nela.
Sot gjithashtu unë dua të informoj shqiptaret se ky vendim vjen pasi Edi Rama dhe prokuroret mercenarë të SPAK dështuan me turp, pasi tentuan në mënyrë të përsëritur të blejnë heshtjen time dhe të Partisë Demokratike, për lidhjet e tyre me bandat, krimin, drogën dhe për larjen e parave.
Këtu para jush, ju deklaroj shqiptarëve se Sali Berisha është sot më i motivuar se kurrë në mbrojtjen e interesit publik të qytetarëve shqiptarë nga Edi Rama mafia e tij shtetërore shqiptare dhe mafia ndërkombëtare.