Gjatë deklaratës së tij për mediat para SPAK, kryetari i PD-së, Sali Berisha është shprehur se, firma e tij nuk ekziston në asnjë dokument. Sipas Berishës, të gjitha lejet janë dhënë nga Rama, Basha dhe Veliaj.
Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:
Sali Berisha u vu nën arrest me kallëzimin e rreme të Taulant Ballës se toka në territorin e Klubit Partizani nuk iu takonte pronarëve mbasi ishte shpronësuar nga autoritetet italiane. Prokurorët e dinin që ky ishte mashtrim sepse fletoret zyrtare të vitit 1942-1943 faktojnë qartë se ajo toke nuk është shpronësuar kurrë por ishte vendosur nën rekuizim për 6 muaj.
Nga dhjetëra zyrtar që kanë firmosur dokumentet e procesit të njohjes dhe kthimit të pronarët legjitim të tokës së konfiskuar nga regjimi komunist dhe para blerjen prej tyre të objekteve të Klubit Partizani asnjë nuk është në ndjekje penale sepse ata kanë zbatuar strikt ligjet e vendit.
Firma e Sali Berishës nuk ekziston në asnjërin prej këtyre dokumenteve.
Nuk ka asnjë provë, dëshmi apo dokument që të tregojë se Berisha ka kërkuar apo ka bërë presion ndokujt që të firmosë qoftë dhe një dokument të vetëm në procesin e njohjes dhe kthimit të pronës dhe të të drejtës së parablerjes, në rastin e privatizimit të Klubit Partizani.
Në vitet 2006-2013 nuk ka asnjë ligj apo VKM nominative të miratuar në lidhje me pronësinë dhe privatizimin. Të gjithë ligjet dhe VKM janë miratuar për të gjithë popullsinë dhe prej tyre pa asnjë diskriminim kanë përfituar nga procesi i njohjes, rikthimit dhe parablerjes së objekteve nga ish-pronarët legjitimë mbi 500 mijë qytetarë shqiptarë.
Ndër këta pronarë të ligjshëm, dhëndri im, Jamarbër Malltezi ka përfituar 410 metër katrorë tokë te Klubi Partizani të trashëguar nga familjarë të tij, ndër të cilët edhe të pushkatuar nga regjimi komunist.
Ky qëndrim ligjor dhe kushtetues i qeverisë së Partisë Demokratike është krejtësisht i kundërt nga qëndrimi i Edi Ramës, i cili me vendim të personalizuar nr. 183 i dha të vëllait, Olsi Rama, 37.000 m2 duke ua marrë në kundërshtim me ligjin pronarëve legjitimë; apo që përmes 4 VKM-ve të personalizuara i dha me 1 euro gazetarit të tij Karlo Bolino, 4500 m2 nga të nga e cila 1500 m2 të familjes Begeja dhe pronare të tjerë fisnikë të Tiranës ia kishin lënë komunitetit për ndërtimin e një shkolle të mesme.
Së fundmi rezulton se me manipulime dhe mashtrime Edi Rama ka marrë në Kanionin e Gjipesë 224.000 m2 tokë, me emrin e nënës dhe familjarëve të nënës së tij, pa pasur asnjë dokument zyrtar kadastral apo shpronësimi të kësaj toke nga ndonjë qeveri.
Zhvillimi i pronës private të rikthyer pesë familjeve të truallit të Klubit Partizani është kryer nga 3 trashëgimtarë të tyre, sipas vullnetit të tyre dhe në përputhje të plotë me ligjet e vendit.
Të gjitha lejet e zhvillimit të kësaj prone janë dhënë nga Edi Rama, Lulzim Basha dhe Erion Veliaj.
Asnjëri nga këta 3 partnerë të zhvillimit të kësaj prone nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga qeverisja e Sali Berishes dhe asnjë dëm nuk i është shkaktuar shtetit.
Sali Berisha u vu nën arrest me pretendimin se ai ka nisur procesin e privatizimit të Klubit Partizani dhe ka ndryshuar destinacionin.
Ndërkohë dokumentet zyrtare provojnë se privatizimi është nisur nga qeveria socialiste, kurse ndryshimi i destinacionit nga terren sportiv në truall ndërtimi është bërë nga Edi Rama.
Në rastin e ndërrimit të destinacionit të Klubit Partizani shteti nuk ka humbur asnjë qindarke, SPAK ka anashkaluar të gjitha vendimmarrjet e bashkisë së Edi Ramës dhe ka shkuar drejt e tek kryeministri i vendit, i cili me vendim të Gjykatës Kushtetuese e kishte të ndaluar t’i ndryshonte ato.
Ndërsa për analogji, në rastin e inceneratorëve ku dëmi llogaritet në qindra miliona euro, SPAK-prokuroria private e Edi Ramës në vend që të hetojë, akuzojë apo arrestojë Edi Ramën që në kundërshtim me ligjin dhe qëndrimin kundër të dy ministrave, i dha bonusin kompanisë së paregjistruar, ata kanë arrestuar një drejtor bashkie që ka bërë propozimin për dhënien e bonusit!