Policia e Kosovës ka nisur hetimet pas shfaqjes së disa pamfleteve që përmbajnë mesazhe kërcënuese në komunat veriore.
Zëvendësdrejtori i Policisë për veriun, Veton Elshani, ka konfirmuar se pamfletet janë hasur në disa lokacione në veri. Për momentin nuk ka të dyshuar, ndërsa rasti është iniciuar nga Prokuroria Speciale si “Nxitje e urrejtjes dhe përçarjes”.
Elshani ka bërë të ditur se janë duke u zhvilluar hetimet për ta ndriçuar rastin. Në rrjetet sociale janë shpërndarë fotografi me pamfletet kërcënuese që janë ngjitur në vende të ndryshme në veri në orët e para të së premtes.
Aty shfaqet fotografia e terroristit që organizoi sulmin e Banjskës, Milan Radoiçiq së bashku me disa anëtarë të grupit. “Të gjithë jemi Milana dhe vëllezër nga Banjska. Ju okupatorë zgjoni egërsira, ju presim në veri. Komandant, vetëm thuaj, fluturojmë si plumba!”, thuhet ndër të tjera në pamfletet e vendosura në veri.
Veprimi vjen dy ditë pasi Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 të pandehurve për sulmin në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.