Kryeministri Rama, ‘zbuluesi i talenteve’ që pompon ato që i lëpihen

E Enjte, 19 September 2024 13:15
 
 

Kohë më parë, kur nuk ishte ngritur ende në lartësinë politike ku gjendet sot, Belinda Balluku e kishte etiketuar Edi Ramën si një “zbulues talentesh”. Duke mësuar deri në detaje teknikën e Spiropalizimit, atë që i’a ka bërë të mundur promovimin, ajo kishte shtuar në një intervistë për ABC Neës në korrik 2020: “Edi Rama ndër vite ka qenë një person që ka zbuluar talente, jo bazuar në bindjen politike por në punën që ata kryenin… Shumë njerëz që nuk e kanë perceptuar kurrë se do ishin aty…Është e vështirë të ndjekësh ritmin e Edi Ramës por do i’a dalim”.

Belinda vetë ia doli duke u bërë numri 2 i qeverisë. 

Por mësimin e saj nuk e lënë pasdore një prurje e re, fytyra e rinovimit të rilindjes, Ilva Gjuzi. Fare e panjohur pak ditë më parë kjo “talente e re” u emërua zv/ministre e turizmit.

Merita e saj përpos një babai socialist dhe një shkolle arkitekture në Kembrixh është se nuk pati pikë ndroje të deklarojë gjatë një debati në Euronevs, ku u pyet për difektet e  kryeministrit:  “Edi Rama ka shumë të meta. Edi Rama është 10 hapa para nga ne të tjerët. Është më përpara se ç’duhet. Po pra kjo  është e një e metë e madhe se të jesh shumë përpara është e metë”.

Shpërblimi qe i menjëhershëm. Natyrisht nën shembullin flagrant të Elisa Spiropalit. Kur ende nuk kishte marrë asnjë post, Elisa zbatoi me përpikmëri, gjatë një mitingu pas fushtës elektorale 2017, porosinë për të krahsuar shefin e saj me personazhin e tij të dashur, Skënderbeun. Pas kësaj Spiropali u bë ministre shteti. Por kolltuku pa portofol nuk e ngopi ish drejtoreshën e doganave. Ajo mori mësimin se rruga e nisur duhej vazhduar. Ajo e thelloi atë pasi u zhgënjye që nuk morri postin e lënë bosh, pas ikjes së Olta Xhaçkës nga ministre e jashtme. Dhe në kongresin e parafundit të PS-së arriti kulmin.

Duke folur aty ajo nuk harroi të thoshte se rritja e numrit të turistëve ka ardhur edhe falë fjalimit të Edi Ramës në OKB, i cili i theu hundët ambasadorit rus në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.Shpërblimi nuk vonoi dhe Elisa falë armës së pamposhtur të servilizmit u gradua si figura numër dy e shtetit duke shkuar shumë më përpara sesa ish koleget e saj.Me më pak apo më shumë sukses këtë armë janë përpjekur ta përdorin edhe paraardhëse të tjera para tyre. Mimit Kodheli kur ishte ministre e Mbrojtjes, e shpalli shefin e saj artist me famë botërore, ndërsa Milva Ikonomi, si ministre e Ekonomisë i dha titullin “brandi ndërkombëtar i Shqipërisë”.

Nën këtë sembull një ngjitje marramendëse sapo përjetoi edhe Ilva Gjuzi. Tani enigma e vete mbetet detyra shtetërore që do ti jepet Helena Kaçes që Rama e ka shpallur si pasardhësen e vet. Si një studente e devotshme, që e ka mësuar mësimin, ajo sapo shpalli se e meta e vetme e liderit suprem është se ai punon aq shumë për Shqipërinë sa ka harruar veten.

Login to post comments