Monstra që do të na kafshojë të gjithëve

Saturday, 21 September 2024 19:39
 

Regjimi i Ramës është kthyer në një monstër, që tashmë e ka mbytur atë foshnjë demokratike që lindi si shpresë dhe po flijohet si kurban për të mbijetuar demokracitë perëndimore. Jemi vetë ne shqiptarët që e rritëm monstrën, të gënjyer se do të sillte diçka të re, jo konformiste dhe do ta çonte Shqipërinë më afër Europës. Arrogancën e tij e quajtëm forcë, bojatisjen dhe ngjyrat e tij shpresë, tallavatë, kusitë, tepsitë e tij si kërkesa të një lideri popullor që flet me gjuhën e popullit, korrupsionin e tij si thyerje të burokracisë shtetërore.

Ne e brohoritëm, e mbështetëm dhe e ngritëm në këmbë pa menduar që një ditë monstra jonë do të kthehej kundër nesh. Regjimi monstruoz i Ramës, pasi u rrit në Shqipëri, kërkoi të shtrijë tentakulat e tij kudo që gjente hapësirë: - në Ballkan, ku autokratët po forcoheshin; në hapësirat e reja neo-otomane për të gjetur një mbrojtje; në Perëndimin demokratik të hallakatur me konflikte që mbrojtjen e demokracisë prej kohësh e kishte arkivuar në institucione. Klientelizmi, servilosja, vrulli dhe aventurizmi i tij për tu shitur si përmbaruesi i punëve të pamundura e ktheu atë në një monstër të nevojshme që mund ta përdornin për të arritur stabilitetin në Ballkan. Ai shpejt u bë “heroi ynë” kur mori afganët në Shqipëri, shtetari bashkëpunues kur krijoi komunitetin më të madh të muxhahedinëve në Mesdhe, apo shpëtuesi i Europës nga problemi i emigracionit të paligjshëm kur u hodh në krahët e Melonit dhe pranoi kampet e refugjatëve afrikanë në Shqipëri. Të gjithë u entuziazmuan nga gjetja e mekanizmit, pa menduar për thelbin e aksionit, që ishte një martesë interesash të neo-fashistes Meloni me aventurierin majtist anarkist që kërkonin të shpëtonin pushtetet e tyre.

Dhe monstra Rama u rrit, u forcua dhe zuri vend si aktor në Europë, pa vënë re që fytyra e saj ishte mbuluar me një maskë të pikturuar bukur me ngjyrat perëndimore. Ai ishte monstra me fytyrë europiane që bënte samite entuziaste dhe dhuronte pjata të bukura me vizatimet e tij; ai ishte ‘dashnori dhe partneri’ i nacionalistit Vucic, që sakrifikonte tokat shqiptare për të kënaqur Perëndimin dhe arritur në paqe; ishte artisti që mund të korruptonte zyrtarë të lartë amerikanë, të bashkëpunonte me oligarkë rusë apo të blinte influencë në perëndim për të shkatërruar opozitën në vendin e tij. Përkëdheljet e Perëndimit për të kanë krijuar një delir për madhështinë e tij që doli sot me inisiativën e tij më të re në New York Times për krijimin e shtetit Bektashi brenda shtetit Shqiptar.

Shqipëria është viktima e parë dhe më e gjymtuar e monstrës Rama. Opozitës nuk i njihet asnjë e drejtë dhe lideri i saj në arrest; korrupsioni galopant dhe lidhje të politikës me krimin e organizuar, vendi i kthyer në një platformë të rëndësishme europiane të kanabis dhe drogës dhe ku mafia ndërkombëtare pastron paratë.

Por Perëndimi dhe Europa hesht. Për herë të parë dhe opinionet dhe akuzat e mediave të fuqishme Der Spiegel, Bild, The Sun, Le Monde, Washington Examiner, Rai, nuk nxisin asnjë qëndrim. Duket që monstra e fuqizuar ka blerë bashkë-ekzistencën e saj me normalitetin e një bote në mbrojtje të influencës së saj.

Ndërsa monstra fuqizohet, shqiptarët nuk kanë të drejtë as për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të ruajtur në aparencë thelbin e sistemit demokratik. Ata vidhen, qytetarët dhe administrata  intimidohet dhe patronazhistët kanë rezultatin para se të zhvillohen zgjedhjet.

Monstra Shqiptare jo vetëm pranohet në heshtje por edhe përkrahet dhe promovohet nga funksionarë të lartë amerikanë, që e quajnë ‘lider i madh’ por edhe përkëdhelet nga liderë europianë ‘I dashur Edi”.

Historia e monstrës Shqiptare është historia e Frankeshtajnit, që filloi si eksperiment i dobishëm dhe përfundoi në një përbindësh të pakontrolluar. Monstrat nuk kanë ndërgjegje politike dhe vetëm instinktet i shtyjnë të mbrojnë ekzistencën e tyre.

Atë që krijuam, shumë shpejt do ta shohim të na shqyejë të gjithëve. Një përbindësh i tillë nuk gjen vend në hapësirat perëndimore europiane. Perëndimi do ta kuptojë shpejt që ka përkrahur një krijesë kundër interesave të tij. Udhëtimi i fundit i monstrës do të përfundojë në hapësirat e skenarëve serbë, në strehën e sigurtë neo-otomane apo stepat e thella ruse, ku kanë folenë të ngjashmit e tij.

Një zgjidhje ka, sa të mos jetë vonë. Ndihmoni popullin Shqiptar të asgjësojë monstrën e tij.

Agim Nesho

Login to post comments