Berisha: Kjo është një betejë historike për të ardhmen e shqiptarëve në këtë vend të bekuar

Diel, 22 September 2024 12:07
 

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ju ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve për bashkim ndaj kësaj narkoqeverie e cila përfaqëson një kalbësirë që nuk mund t’i rezistojë as dy ditë vrullit të fuqishëm të qytetarëve, guximit të betejës së tyre për qeveri teknike, votën e lirë, fitoren e opozitës, fitoren e Shqipërisë.

Berisha shprehet se kjo është një betejë për të rikthyer në Shqipëri qindra e mijëra shqiptare për të investuar djersën e tyre, mundin e tyre në dheun e tyre të dashur. 

Fjala e tij:

Të dashur miq, të gjitha këto bëjnë jetike, bëjnë vendimtare betejën tonë.

Të gjitha këto duhet të frymëzojnë dhe frymëzojnë opozitën nën thirrjet e himnit kombëtar, nga lufta veçse ai largohet, për votën e lirë, ja vdekje ja liri.

Për lirinë e Shqipërisë, ja vdekje ja liri!

Sot, kjo betejë është betejë për fëmijët shqiptarë që ushqehen me dy vakte në ditë sepse Edi Rama vjedh me qeverinë e tij qindra milionë euro pasuri publike.

Është betejë për të rinjtë shqiptarë, të cilët për të blerë një apartament në kryeqytetin e tyre, duhet të punojnë 105 vite.

Është betejë për pensionistët shqiptarë që numërojnë kafshatat dhe paguhen sot në mënyrën më qesharake.

Është betejë për të sëmurët shqiptarë që mjekohen masivisht me ilaçe të skaduara dhe që mafia e Edi Ramës vjedh paratë e ilaçeve të tyre, të aparaturave të tyre dhe ka katandisur shëndetësinë në një bursë vdekje për shqiptarët.

Kjo betejë është betejë për të ardhmen e shqiptarëve në këtë vend të bekuar.

Është betejë për kthimin e pasurive përrallore publike të këtij vendi në mirësi për qytetarët shqiptarë.

Është betejë për të rikthyer në Shqipëri qindra e mijëra shqiptare për të investuar djersën e tyre, mundin e tyre në dheun e tyre të dashur.

Është betejë për t’i kthyer Shqipërisë dinjitetin, për të ecur të sigurt në rrugën e integrimit evropian.

Është betejë për të mbështetur Kosovën, në rrugën e saj drejt Europës, anëtarësimit në NATO.

Pra, kohërat janë historike për çdo shqiptare dhe çdo shqiptar.

Le të bashkohemi ne dhe ju garantoj se kjo narkoqeveri në vetvete përfaqëson një kalbësirë që nuk mund t’i rezistojë as dy ditë vrullit të fuqishëm të qytetarëve, guximit të

betejës së tyre për qeveri teknike, votën e lirë, fitoren e opozitës, fitoren e Shqipërisë.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

Login to post comments