Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, një ditë pas arrestimit të Ilir Metës me urdhër të SPAK i ka quajtur efektivët e policisë të cilët ekzekutuan urdhrin e arrestimit, banditë.
Sipas tij, dy prej efektivëve janë me precedent të mëparshëm kriminalë dhe i bëri thirrje ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha që të përgënjeshtrojë lajmin nëse nuk është i vërtetë.
Blushi gjithashtu hodhi akuza të forta dhe tha se ditën e djeshme ka pasur një plan për eliminimin fizik të Presidentit të PL-së, Ilir Meta.
Tedi Blushi: Është fakt që narkoregjimi së bashku me narkodrejtësinë kanë ndërmarrë një aksion jo vetëm për eliminimin politik të drejtuesve kryesorë të opozitës, siç është Ilir Meta dhe Sali Berisha, por për fat të keq ka pasur edhe një përpjekje që dështoi për eliminimin fizik të Presidentit të PL-së, për llogari të armiqve të kombit tonë.
Dihet se çfarë beteja të mëdha ka bërë Meta për mbrojtjen e sovranitetit të Shqipërisë, për mbrojtjen e kufijve të Kosovës, për çështjen e detit ku është implikuar edhe Lulzim Basha dhe për llogari të mafies ndërkombëtare. Nuk ekziston asnjë fakt kundër tij për shkelje të ligjit. Ai është i arrestuar politik. SPAK dhe GJKKO dy struktura kamikazë janë të kundërta me faktet konkrete.
Nuk ka asnjë provë, asnjë dëshmi që e implikon zotin Meta në një shkelje sado minimale të ligjit. Janë dëshira të këtij regjimi kriminal, që nëpërmjet terroristëve si Altin Dumani kanë marrë përsipër të shkatërrojnë pluralizmin politik dhe t’i imponojnë vendit zgjidhje që nuk janë ligjore dhe kushtetuese, por janë kriminale.
Pjesë e grupit terrorist që guxoi të rrëmbente dhe të dhunonte Presidentin e PL-së, nuk kanë qenë gjë tjetër veç banditë policie. Sipas informacioneve një nga gjasme oficerët e ngarkuar në detyrë që duhet të bënte prezantimin e mandatit të arrestit, gjë që nuk ndodhi kurrë, është një djalë, emrin e të cilit nuk do ta them, i moshës 27 vjeç, pa eksperiencë në strukturat e policisë, i cili jo vetëm ka guxuar, por ka shërbyer aty edhe si roje trafiku.
Sa i përket horrave që u përpoqën të tërhiqnin forcërisht Presidentin e PL-së nga automjeti pa u identifikuar, kemi evidentuar dy persona me precedent penal, të cilët është e paqartë se si kanë hyrë në policinë e shtetit. Janë të lidhur me bandat në zonën e Durrësit. Sfidoj ministrin e Brendshëm që nëse ky fakt nuk është i vërtetë le ta përgënjeshtrojë.
Në një nga automjet civile pa asnjë logo policie, ka dalë një bandit dhe ka kërcënuar me armë qytetarët që filmonin skenën e ngjarjes. Ky automjet prej dy vitesh qarkullon në rrugët e Shqipërisë pa asnjë dokument identifikues.