Belind Këlliçi, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike, ka bërë thirrje për protestë në një postim të tij në Facebook. Ai njofton se të premten, më 25 tetor, në orën 11:00, do të organizohet protesta e 30-të përballë selisë së 5D dhe Inceneratorit të Tiranës, duke e quajtur këtë situatë një “skene të madhe të krimit dhe korrupsionit në Shqipëri.”
Sipas Këlliçit, Tirana vidhet me 80,000 euro në ditë nga pronari faktik i inceneratorit, dhe SPAK nuk guxon të veprojë kundër kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj, duke e akuzuar për korrupsion.
Ai shprehet se pas arrestimit të Ilir Metës, mund të ndodhin arrestime edhe të figurave të tjera opozitare për korrupsionin e Edi Ramës dhe Veliajt. Këlliçi u bën thirrje shqiptarëve të marrin pjesë në protestë dhe të reagojnë përpara se të jetë vonë.
POSTIMI I PLOTË:
Të premte, datë 25 tetor, ora 11:00, takohemi në protestën e 30 para skenës më të madhe të krimit dhe korrupsionit në Shqipëri, para selisë së 5D dhe Inceneratorit Tiranë.
Ndërkohë që Tirana vidhet 80.000 euro në ditë nga pronari faktik i inceneratorit Tiranë, SPAK jo vetëm që nuk guxon të zbatojë ligjin dhe të çojë hajdutin Erion Veliaj prapa hekurave, por me standardin e vendosur dje në ndalimin e Ilir Metës, nuk është çudi që së shpejti të akuzojnë Berishën, Metën dhe cilindo opozitar tjetër, për korrupsionin dhe vjedhjet e Edi Ramës & Erion Veliajt!
Shqiptar mos rri, por duku! Mos prisni që t’ju vijë rradha, se kur të vijë ajo ditë, në Shqipëri nuk do ketë mbetur kush për ta ngritur zërin për ju!
Reagoni para se të jetë vonë dhe për ju!
O sot, o kurrë