Lideri i opozitës Sali Berisha ka deklaruar gjatë një takimi me gazetarët në selinë blu se vrasja e djeshme ne Ndroq, është për të mbyllur aferën e vrasjes së Jan Prengës.
“Vrasja mafioze e djeshme është dëshmi e funksionimit si një sipërmarrje e përbashkët e shtetit me krimin, e mafies me shtetin”, tha Berisha.
Berisha: Çështja e dytë për të cilën jam sot para jush, dje mbasdite u ekzekutua publikisht në Ndroq dëshmitari i copëtimit të Jan Prengës, njeriut që dinte të gjitha.
Ai, Dedja, kishte qenë menaxher i lokalit të Altin Hajrit.
Imagjinoni ju një moment, njeriu që e kishte liruar nga burgu këtë Julian Gjoshin, që kishte ngritur shtetin në këmbë për ta liruar, tani e urdhëron në një akt in-ekstremis, të vrasë në publik dëshmitarin e vetëm të mundshëm të copëtimit makabër të trupit të Jan Prengës.
E gjitha kjo një vepër shtetërore mafioze.
Mafia me shtetin të bashkuar.
E gjitha kjo për të mbyllur aferën, sepse ju e dini se për Jan Prengën u akuzuan kamerierët e Altin Hajrit, kurse Altini është i lirë, Altini tani pastron oborrin dhe u detyrua në fund të nisë kunatin e tij të kryejë vrasjen publike.
Vrasja mafioze e djeshme është dëshmi e funksionimit si një sipërmarrje e përbashkët e shtetit me krimin, e mafies me shtetin.
Ndryshe, Dedja duhet të ishte një dëshmitar i mbrojtur, i çmuar, por nuk pati kurrë dëshirë për të zbardhur vrasjen e Jan Prengës.
Edhe këto që shihni ju, dosjet që të gjitha vijnë nga jashtë, Dumani fle mbi to. Të gjitha janë nisma të prokurorive partnere, asnjë nismë e tij. Jo, aty i ka pasur të gjitha veprimet.