Lali "kulla" jep leje për “mbjelljen” e dhjetëra kullave në sheshin Rinia

Premte, 27 Prill 2018 11:42

Veliaj dhe shefi i tij, kryeministri Rama, kanë miratuar “mbjelljen” e dhjetëra kullave, që do të pushtojnë qendrën e Tiranës dhe së fundmi edhe Teatrin Kombëtar. Miratimi i këtyre kullave dhe lejeve të ndërtimit, është një krim shtetëror që po bën Rama dhe kryebashkiaku Veliaj. Këto ndërtime promovojnë një ekonomi informale dhe shkatërrojnë mjedisin.

Veliaj dhe Rama kanë zgjedhur të shpërblejnë oligarkët, duke e asgjësuar përfundimisht ansamblin e ndërtuar nga arkitektët e njohur italianë në qendër të Tiranës dhe duke i dhënë goditjen finale mjedisit.

Fushata e mbjelljes së pemëve nisi si një tentativë për të maskuar betonizmin që po i bëhet Tiranës, me kullat dhe 170 lejet e ndërtimit që ka miratuar krybashkiaku. Qëllimi i fushatës, ishte portretizimi i një “kryebashkiaku të gjelbër”, i cili me lopatë në dorë luftoi heroikisht për gjelbërimin e qytetit. Në këtë fushatë agresive, parakaluan qindra personazhe publike, aktorë, këngëtarë, apo drejtues të klubeve sportive, që sëbashku me kryebashkiakun realizuan “revolucionin e pemëve”.

Por, kjo fasadë e ndërtuar me kujdes, dhe e kuruar në mënyrë perfekte në bashkëpunim me mediat, nuk arriti ta shpëlajë kryebashkiakun nga mëkatet e betonit që i rëndojnë mbi supe. Kjo sepse, sado të investohet për të manipuluar opinionin publik, qytetarët tashmë kanë filluar të shohin se si po mbijnë ngrehinat gjigande të miratura prej tij, edhe pse u kishte premtuar moratorium ndërtimesh për 4 vitet e tij në krye të Bashkisë.

Modifikuar më Premte, 27 Prill 2018 11:47
Login to post comments