Gjatë qëndrimit në Shkup, Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi një takim me Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk. Presidenti Meta e konsideroi shumë të rëndësishme pjesëmarrjen e Presidentit Tusk në Samitin e Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit, shenjë e vëmendjes dhe mbështetjes gjithnjë e në rritje të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor.
Kreu i Shtetit gjithashtu vlerësoi vizitën dhe mesazhet inkurajuese që Presidenti Tusk përcolli gjatë vizitës së tij në Tiranë, të cilat duhet të nxitin të gjitha institucionet shqiptare drejt arritjeve konkrete në zbatim të 5 prioriteteve kyçe.
Duke shpresuar në vendimmarrjen pozitive të Këshillit të qershorit ndaj rekomandimit për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë, Presidenti Meta theksoi se ky do të ishte një moment oportun për të marrë përgjegjësi të reja dhe më angazhuese karshi qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve evropianë.
Presidenti Meta pohoi se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë dhe angazhimin e shprehur qartë për të kaluar në fazën e vështirë të negocimit drejt anëtarësimit.
Gjithashtu Presidenti Meta theksoi rëndësinë që ka edhe vendimi për liberalizimin sa më të shpejtë të vizave me Kosovën, një hap i merituar që do të mundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve kosovarë drejt hapësirës Shengen.