Basha i përmend me emra: Nëntë pengmarrësit e Shqipërisë...

Diel, 29 Prill 2018 12:37

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i përmendi me emra nëntë prej banditëve të Edi Ramës që kanë marrë peng Shqipërinë.

Për Bashën ata janë përgjegjësit e mëdhenj për rrënimin e Shqipërisë. Duke nisur nga Saimir Tahiri, deri tek Habilajt e Balilajt, të gjithë këta, sipas Bashës vijojnë ta mbajnë peng vendin.

“Simbolet e kësaj qeverisje janë turpi i socialistëve dhe pengu që i mban ata të kapur dhe të nënshtruar nga krimi dhe droga”,- tha ai ndër të tjera, ndërsa i listoi me emra.

“Saimir Tahiri është simboli dhe thelbi i këtyre 5 viteve, dëshmia tronditëse e dy standarteve të shtetit të Edi Rames. Tahiri është i lirë, edhe pse është ministri i brendshëm më i implikuar në krim në gjithë historinë e Europës. I provuar me dëshmi e me fakte nga antimafia italiane. Mijëra shqiptarë janë në burg ose para drejtësisë për shkelje që i kanë kryer nga halli, nga mbijetesa, për dritat, për ujin.

Simboli tjetër i kësaj qeverisje është Ilir Beqaj, një njeri që është fiksuar në kujtesën e shqiptarëve si i pari mes hajdutëve qeveritarë, i cili kreu krimin më të madh në shëndetësi, duke ia kaluar paratë e shqiptarëve, taksat tona, donatores së partisë socialiste me koncesionin famëkeq të check up-it. Dhe qindra milionë euro të tjera me koncesionet e radhës.

Pengmarrësi tjetër i kësaj qeverie është Ahmetaj i cili me inceneratorët qindra milionë euroshe, po zhvat buxhetin dhe po helmon njerëzit e thjeshtë.

Pengmarrësit e kësaj qeverisje janë Gjiknuri që bashkë me aferat qindra milionëshe të energjisë dhe naftës është kapur në bashkëpunim flagrant me narkotrafikantët për vjedhjen e votave dhe tjetërsimin e rezultatit zgjedhor

Është Veliaj që me skemën mafioze të Sharrës mori jetën e Ardit Gjoklaht, bleu prokurorinë dhe tani e ka shndërrurar Tiranën në lavatriçen gjigante të pastrimit të parave të pista.

Është Dako i bandave të Durrësit, simboli i kryebashkiakut mafioz që po rrënon qytetin dhe qytetarët e Durrësit për të mbushur xhepat e tij, të banditëve me të cilët vjedh vota dhe natyrisht të Edi Ramës.

Është Qazim Sejdini që me bandat e tij të heroinës terrorizon qytetarët dhe sulmon policinë.

Pengmarrësit e socialistëve janë Balilajt dhe Habilajt, janë oligarkët dhe klientët e Edi Ramës, janë makutët dhe kriminelët që rrëmbejnë çdo ditë pasuritë e thelat e mëdha të buxhetit të shtetit”, tha Lideri i opozitës në fjalën e tij ën Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.

Login to post comments