Sekretari Organizativ i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, i ftuar në studion e Report Tv, shpjegoi risitë e statuti të PD, i miratuar sot me unanimitet nga delegatët e Këshillit Kombëtar.
Bozdo tha se pas zgjedhjeve parlamentar të qershorit të kaluar, PD pa të arsyeshme organizimin e saj me qëllim balancimin e pushteteve. Mesazhi i tij për kritikët e Bashës ishte që t’i bashkohen PD-së nëse kanë vullnet politik.
Një statut nuk duhet të shërbejë për përçarje. Situata që kaluam, ngjarjet që rrodhën, opinionet, mendimet gjatë procesit të konsultimeve me anëtarësinë pas rezultatit të zgjedhjeve të qershorit, ka qenë një kërkesë për të gjetur mekanizma që vendimmarrja të ishte sa më kolegjiale, d.m.th që vendimi të përcillej nga anëtari më i thjeshtë te kryetari.
Ka qenë një kërkesë e përsëritur nga anëtarësia dhe rrjedhja e ngjarjeve pas qershorit 2017, duhej balancim të pushteteve në PD, në mënyrë që PD të kishte vendimmarrje më të mirë kolegjiale dhe për çdo vendim të rëndësishëm PD t’i rikthehet anëtarësisë për ta pyetur. I dhamë përgjigjen e duhur sfidave për organizimin e PD.
Është një dokument që sanksionon disa rregulla loje, që ta çojë PD drejt një balance më të mirë, për të nxitur anëtarësinë dhe vendimmarrjen kolegjiale. Bashkimi kërkon vullnet politik dhe vullneti politik është e vështirë të shkruhet ne një statut.
Sot PD-së i duhet jo vetëm një statut i mirë, për të parë në mënyrë kritike se çfarë ndodhi me ne se si nuk duhet të ndodhin më, por duhet edhe vullnet politik. Kjo sepse situata politike e vendit, ekonomike e sociale, përballë një maxhorance gjithnjë e më shumë agresive, demokratët duhet të bashkohen. Nuk ka statut që bashkon, por vullnet për të rrëzuar këtë qeveri.
Eno Bozdo, Sekretar Organizativ i PD
I pyetur për nenin 27 të statutit të PD, i miratuar në paketën e ndryshimeve statutore, Bozdo tha se kryetari por as kryesia nuk përjashton anëtarësinë. Por statuti tha Bozdo, parashikon rregulla të qarta për shkeljet disiplinore ku anëtari mund të përjashtohet, duke shtuar se ky nen ka qenë edhe në statutin e vjetër. Sipas tij, roli dhe pozicioni i Lulzim Bashës si kryetar i PD nuk ndryshon me statutin e ri.
Një rast është kur anëtarët e PD punojnë në fushatë për forcat e tjera. Është diskutuar për pezullim apo përjashtimin e këtyre anëtarëve. Është i njëjti nen, nuk ka ndryshuar as edhe një presje nga neni i djeshëm që ndodhej në statut. Është normale që në një organizatë kur thyhen rregullat, të ketë masa disiplinore.