Nesër pritet të bëhet mbledhja e radhës e Komisionit Hetimor Parlament “Tahiri”. Ky komision pritet të mblidhet rreth orës 12.30 te Salla e Byrosë.
Komisioni hetimor “Për të kontrolluar veprimet dhe mosveprimet e organeve shtetërore në parandalimin dhe goditjen e fenomenit të kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike, përfshirë çështjen për të cilën prokuroria po heton Saimir Tahiri, ish-Ministër i Brendshëm” do të diskutojë 4 çështje kryesore si miratimi i listës së ekspertëve të jashtëm të cilët do të asistojnë në komisionin hetimor; njohja e anëtarëve të komisionit me shkresat e ardhura në sekretarinë e komisionit; Njohja e anëtarëve të komisionit me shkresat që janë kërkuar nga mazhoranca për t’ju drejtuar institucioneve përkatëse si dhe vijueshmëria e punës së komisionit hetimor lidhur me njohjen e informacionit të klasifikuar.
Opozita ka paralajmëruar se do të mbajë një qëndrim të fortë, për të qëndruar në lartësinë e kërkesës që qytetarët kanë nga opozita. Në këtë frymë, deputetët e opozitës kanë vendosur të bojkotojnë komisionet parlamentare, veç komisionit për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.