Një raport i publikuar pak ditë më parë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë alarmin për ndotjen e ajrit 60% mbi normat e lejuara. Ndotje që ka shkaktuar edhe plot 16 viktima.
Ndërsa kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe stafi i tij i PR-it, kujdesen për llogarinë e tij zyrtare në Facebook, që të gjitha fotot e publikuara që pas 1 prillit e tutje, të mos shfaqet asnjë kullë por vetëm gjelbërim pa fund.
Veliaj dhe stafi i tij jo vetëm kujdesen që fotot t’i realizojnë në zona ku nuk shfaqen ndërtesa të larta, por edhe kur kanë disa të tilla rreth e rrotull kujdesen edhe për këndin e fotografimit që të mos kapet ndërtesa.
Por një raport i publikuar nga OSHB-ja vetëm pak ditë më parë ka zbuluar shifrat alarmante.
Sipas raportit në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën, ajri është 60% më i ndotur se nivelet e përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Më tej në raport thuhet 16 persona kanë vdekur në Shqipëri për shkak të ndotjes së ajrit. Cilësia e të cilit shkakton sëmundje të zemrës dhe çon deri në vdekje.
Raporti gjithashtu thekson se numri i vdekjeve të fëmijëve të shkaktuara nga ndotja e ajrit në vitin 2017 ishte 10 dhe se më shumë se 80% e njerëzve që jetojnë në zonat urbane janë të ekspozuar ndaj niveleve të larta të ndotjes së ajrit.
Por teksa “Lali Ambjentali” vazhdon me propagandën e tij, edhe kryeministri Rama nuk ia kursen elozhet. Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët e Tiranës, Rama tha se ja vlen taksa e gjelbërimit pasi kryetarin e bashkisë nuk e zë gjumi pa mbjellë pemë.
“Për një kryetar bashkie që mbjell pemë dhe nuk fle pa mbjellë pemë ja vlen të paguani taksën e gjelbërimit, ja vlen t’ia japësh ato lekë.”– u shpreh Rama.
Por mesa duket pemët e mbjella nuk kanë pasur efekt dhe këtë e tregon edhe numri tejet i lartë i ndotjes dhe numri i personave që kanë humbur jetën. /hashtag.al