Si u eliminua Gjykata Kushtetuese shqiptare

E Enjte, 10 May 2018 18:49

Gjykata Kushtetuese, më e rëndësishmja në vend, është jashtë funksionit. Prej ditës së sotme ajo ka mbetur me vetëm dy anëtarë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra këtë të enjte gjyqtarin Fatmir Hoxha. Nga 9 anëtarë që ka kjo gjykatë, 3 prej tyre Sokol Berberit, Vladimir Kristos dhe Vitore Tushës u ka mbaruar mandati. Besnik Ymeri u largua duke dhënë dorëheqjen.

Në 5 gjyqtarët e mbetur, 3 prej tyre, Fatos Lulo, Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxha janë shkarkuar nga Vetting-u.

Nga 9 anëtarët kanë mbetur vetëm kryetari Bashkim Dedja dhe anëtari Gani Dizdari, por edhe këta të dy nuk e kanë kaluar ende procesin e Vetting-ut. Në këtë mënyrë, me vetëm dy anëtarë në detyrë, Gjykata Kushtetuese jo vetëm nuk shqyrton dot asnjë çështje, por as nuk pranon dot ankesa nga qytetarë apo institucione.

Tashmë Gjykata më e rëndësishme në Shqipëri, garanti i Kushtetutës është inekzistent dhe e tillë pritet të jetë për një kohë të gjatë.

Nuk dihet edhe sa muaj të tjerë do të duhen për t’u rindërtuar ky institucion, për shkak të emërimeve të lidhura me ngritjen e institucioneve të Vetting-ut.

Shqetësimi për shpartallimin e Gjykatës Kushtetuese e ngritën javën e kaluar edhe një grup deputetësh gjermane zhvilluan një takim në këtë Gjykatë, posaçërisht për shkak të nxjerrjes së saj jashtë funksionit dhe shndërrimit në një institucion inekzistent. /Tv Klan/

Login to post comments