Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka marrë pjesë në mbledhjen e komisionit të medias,ku teksa kreu i grupit Edmond Spaho, nisi të fliste për çështjen “Xhafaj” është penguar nga deputetët socialistë.
“Nuk është e zakonshme, ka prezencë të shtuar të grupit parlamentar të PD dhe qëllimi jonë është të shprehim gjendjen në të cilën është vendi. Në radhë të parë duhet të jeni ju deputetët e Vlorës pasi organizata kriminale që kanë gjetur strehë në këtë qytet duhet ti luftojmë bashkarisht dhe ti hapim vendit rrugën për integrim europian. Nuk shkohet në Europë me kriminelë, prandaj mos më ndërprisni. Ministri i Brendshëm duhet të dorëhiqet, prandaj nuk do të ketë punë normale të këtij Parlamenti, as komisione derisa ministri i Brendshëm të japë dorëheqjen, pavarësisht zhurmës që bëni ju”, tha Spaho.
Por socialistët kanë vijuar të kundërshtojnë, duke u shprehur se komisioni parlamentar ka një rend dite, dhe çështja për të cilën flet Spaho nuk ka të bëjë me komisionin.
Ndërkohë që deputeti Flamur Noka nisi të fliste deputetet e maxhorancës u larguan nga mbledhja.